Foto Arkiv

ATK: Lejohen lojërat shpërblyese me para të gatshme deri në 1000 euro

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se lojërat shpërblyese të kompanive do të vazhdojnë të lejohen edhe përkundër hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.

Kjo pasi që ky ligj sipas ATK-së, nuk i trajton lojërat shpërblyese si lojëra të fatit.

Sipas ATK-së, lojërat shpërblyese do të lejohen me kusht që të njëjtat mos të kenë kosto shtesë, shpërblimet mund të jepen në produkte, dhe para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1000 euro për person.

ATK poashtu njofton qytetarët se pas hyrjes në fuqi të ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit, zyrtarët e saj nuk do të jenë pjesëmarrës në ngjarjet e lojërave shpërblyese.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të ATK-së:

Organizimi i lojërave shpërblyese

Administrata Tatimore e Kosovës njofton të gjitha subjektet, kompanitë, bizneset të cilat merren me organizimin e lojërave shpërblyese, se Ligji aktual Nr. Nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit, konkretisht neni 5, paragrafi 2 dhe 3 i Ligjit nuk i trajton si lojëra fati konkurset (lojërat) shpërblyese që organizohen nga subjektet me qëllime publicitetit, me kusht që pjesëmarrja në lojë të mos inkasohet dhe të mos ketë kosto shtesë, si dhe shpërblimet të jepen në produkte, shërbime ose në para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1000 euro për person.

Në një situatë, kur Ligji aktual mbi Lojërat e Fatit me datë 10 Maj 2019 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri Nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit, atëherë, pas kësaj date Administrata Tatimore nuk ka autoritet për të miratuar rregulla të lojërave shpërblyese dhe zyrtarët e saj nuk do të jenë pjesëmarrës në çfarëdo cilësie në ngjarjet e tilla, që mund të organizohen në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e ATK-së.