Lojera Fati, Kazino, Ilustrim

ATK: Asnjë kazino nuk është e liçencuar në Kosovë

Zyra për informim e Administratës Tatimore të Kosovës ka thënë për KALLXO.com, se asnjë Kazino nuk ka leje për operim në Kosovë.

“Ju njoftoj se në Kosovë nuk ka asnjë kazino të cilën ATK e ka licencuar”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Ndërsa sa i përket bizneseve të licencuara për ushtrimin e lojërave të fatit sipas ATK-së, të licencuara janë vetëm 46 subjekte nga të cilat 23 me veprimtari baste që funksionojnë në 306 lokaleve, 17 me veprimtari Automate që funksionojnë në 133 lokale dhe 6 me veprimtari Bingo të cilat funksionojnë në 6 lokale.

Gjatë vitit 2018, buxheti i Kosovës ka realizuar të hyra nga kompanitë e lojërave të fatit në vlerë prej rreth 16 milionë euro nga akciza, ndërsa gjatë vitit 2017 ka përfituar mbi 12 milionë euro.

Sipas ATK-së, vetëm gjatë vitit 2019, janë mbyllur rreth 51 lokale të lojërave të fatit dhe janë shqiptuar rreth 300 mijë euro gjoba.

“Gjatë periudhës 01 Janar – 11 Mars 2019, numri i lokaleve të mbyllura është 51 lokale, numri i gjobave te lëshuara është 108 gjoba dhe vlera e gjobave të lëshuara është 274,000.00€”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Ndërsa gjatë viteve 2017 dhe 2018 janë mbyllur rreth 500 lokale të lojërave të fatit dhe janë shqiptuar rreth 3 milionë euro gjoba.

“Për vitin 2018 janë zhvilluar 1,553.00 (janar-dhjetor 2017 janë zhvilluar 1,375.00) aktivitete në teren. Si rezultat janë konstatuar edhe shkelje të ndryshme ligjore, të cilat janë bërë nga individ të cilët menaxhojnë këto veprimtari. Nga parregullsitë e gjetura në teren janë mbyllur 301 lokale të lojëra të fatit (në vitin 2017 janë mbyllur 198), dhe numri i gjobave arrin në 700, ndërsa vlera e gjobave të lëshuara është 1.7 milionë euro (vitin 2017 vlera e gjobave ishte 1.2 milion euro)”, thuhet në përgjigje e ATK-së për KALLXO.com.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së premte, në një seancë të jashtëzakonshme miratoi një rezolutë për pezullimin të veprimtarive për të gjitha bizneset e lojërave të fatit.

https://kallxo.com/kalon-rezoluta-per-pezullimin-e-aktivitete-te-lojerave-te-fatit/

.