UP-ja mbetet pa Këshill Drejtues

Këshilli Drejtues i Universitetit publik më të madh në vend “Hasan Prishtina” është jofunksional.

Kjo pasi anëtarët e organit kryesor qeverisës të UP-së të emëruar nga Ministria e Arsimit kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në dallim prej herave të tjera që janë shkarkuar nga ana e ish-ministrave të Arsimit.

Sipas informacioneve nga rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” mbledhja e fundit e këtij Këshilli është mbajtur më 6 maj e që në këtë ditë, ish-kryesuesi Ujkan Bajra kishte lajmëruar se kjo do të jetë mbledhja e fundit e tij.

“Kryesuesi i KD-së në mbledhjen e fundit të mbajtur më 06.05.2021 ka deklaruar para anëtarëve tjerë të Këshillit Drejtues se kjo do të jetë mbledhja e tij e fundit, meqë i njëjti ka vendosur që të aplikoj në konkursin për personel akademik”, është bërë e ditur për KALLXO.com.

Dorëheqja tjetër ka ardhur me 4 qershor nga anëtarja tjetër, Merita Bogaj, që sipas UP-së, ka dhënë dorëheqje për shkak angazhimeve të tjera në profesionin e avokates.

Tutje, UP ka njoftuar se anëtarët e tjerë thjeshtë nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.

“Ndërkaq, anëtarja e katërt, znj. Shkendije Himaj  ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje pas emërimit të saj, prandaj kjo mund të konsiderohet që ka hequr dorë në mënyrë të heshtur nga të qenurit anëtare e KD-së”, është thënë më tej.

MAShTI: Së shpejti do të funksionalizohet KD i UP-së

Në anën tjetër nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se kanë dhënë dorëheqje vetëm 2 anëtarë, derisa nuk specifikojnë arsyet si dhe emrat e anëtarëve të dorëhequr.

“Aktualisht bordi i UP-së nuk është funksional meqë kanë dhënë dorëheqje dy anëtarë të Këshillit. Prandaj, MASHTI do të përkujdeset që shumë shpejt në këto pozita të emërohen anëtarë të rinj të cilët i plotësojnë kriteret ashtu siç e parasheh ligji dhe statuti”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Përgjigje po thuajse të njëjtë kishte dhënë edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në raportimin e saj në Komisionin për Arsim me datë 6 korrik.

Ajo kishte njoftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës se janë në proces të rekrutimit të anëtarëve të Bordit.

“Jemi në përfundim të zgjedhjes së anëtarëve të bordit të UP-së, shumë shpejt do të funksionalizohet”, kishte thënë Nagavci.

Në anën tjetër, statuti i UP-së e parasheh që MASHTI emëron 4 anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi arsimin e lartë. Po ashtu, të emëruarit duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, me aftësi përkatëse profesionale, afariste si dhe me aftësi tjera praktike.

Funksioni i Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.

‘Avazi i shkarkimeve’

Të dërguarit e Ministrisë së Arsimit në Këshillin Drejtues të UP-së janë ndërruar ndër vite në cdo kohë kur janë ndryshuar Qeveritë në Kosovë.

Pothuajse èdo ministër i Arsimit që ka ardhur në pushtet i ka ndërruar anëtarët e dërguar në këtë Këshilli.

Së fundmi, ish-ministri i Arsimit Ramë, Likaj kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që i kishte emëruar ish-ministrja, Hykmete Bajrami dhe kishte emëruar anëtarë të rinj.

Para tij një gjë të tillë e kishte bërë ish-ministrja Hykmete Bajrami duke shkarkuar ish-anëtarët që ishin emëruar nga ana e ish-ministrit, Shyqiri Bytyqi.

Edhe ky i fundit si ish-ministër në vitin 2018 kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së që ishin emëruar nga ish-vartësi i tij.

Ministri Shkarkon Anëtarët e MASHT-it në Bordin e UP-së

.