Bllokohet hyrja e rektoratit, protestojnë senatorët studentë që janë në përfundim të mandatit

Senatorët studentë që kanë qenë deri tani pjesë e Parlamentit Studentor janë duke bllokuar hyrjen e rektoratit të Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Studentët po protestojnë pasi në votimin që pritet të mbahet sot për anëtarët e Këshillit Drejtues janë ftuar senatorët që janë zgjedhur në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 10 qershor.

Para objektit të rektoratit kanë dal edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” më 23 qershor mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me votimin e senatorëve studentë për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

Diskutime pati pasi në mbledhjen e sotme është paraparë që të konfirmohet lista e senatorëve të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve nga zgjedhjet e fundit studentore, e këtë e kanë kundërshtuar përfaqësuesit që kanë qenë deri tani në Parlamentin Studentor.

Sipas tyre, mandati i senatorëve të rinj fillon më 1 tetor dhe nuk do të duhej të ishte si rend dite nesër kur pritet të votohet për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Shqetësimi i përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani është një interpretim ligjor që e ka bërë u.d. sekretari, Besfort Kelmendi, për mandatin zgjedhor të senatorëve studentë të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve.

Sipas tyre, u.d. sekretari nuk do të duhej të jepte interpretime se  “anëtarët e rinj të Senatit që zgjidhen nga Parlamenti i Studentëve duhet të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Drejtues”.

Sot nga 14:00 nisi mbledhja e Senatit ku pikë e parë e rendit të ditës është konfirmimi i listës së senatorëve të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve, ndërsa pika e dytë është zgjedhja e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Senati i UP-së diskutoi në mbledhje të jashtëzakonshme për senatorët studentë dhe votat e tyre për anëtarë të KD-së