Senati i UP-së diskutoi në mbledhje të jashtëzakonshme për senatorët studentë dhe votat e tyre për anëtarë të KD-së

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me votimin e senatorëve studentë për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

Diskutime pati pasi në mbledhjen e nesërme është paraparë që të konfirmohet lista e senatorëve të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve nga zgjedhjet e fundit studentore, e këtë e kanë kundërshtuar përfaqësuesit që kanë qenë deri tani në Parlamentin Studentor.

Sipas tyre, mandati i senatorëve të rinj fillon më 1 tetor dhe nuk do të duhej të ishte si rend dite nesër kur pritet të votohet për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.

Shqetësimi i përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani është një interpretim ligjor që e ka bërë u.d. sekretari, Besfort Kelmendi, për mandatin zgjedhor të senatorëve studentë të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve.

Sipas tyre, u.d. sekretari nuk do të duhej të jepte interpretime se  “anëtarët e rinj të Senatit që zgjidhen nga Parlamenti i Studentëve duhet të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Drejtues”.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti, tha se ka thirrur këtë mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për të informuar Senatin për këtë situatë në të cilën ndodhen derisa kërkoi propozime prej senatorëve për zgjidhjen e situatës.

Por, dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, tha se si Senat nuk kanë mandat që të japin interpretime të tilla se cilët senatorë studentë duhet të votojnë për anëtarë të Këshillit Drejtues nesër.

“Si jurist kemi mendim, por s’kemi mandat të shohim çështjet që nuk na takojnë, ky është qëndrimi ynë dhe s’kemi çka diskutojmë për këtë pikë”, tha Puka.

Senatori student, Arbër Gecaj, tha se mandati i senatorëve të rinj fillon më 1 tetor dhe sipas tij u.d. sekretari, Besfort Krasniqi, ka dhënë interpretim të njëanshëm.

“Nuk e di pse ka nevojë për interpretim, rregullorja e thotë që mandati u fillon më 1 tetor të vitit kur janë mbajtur zgjedhjet… Po favorizohet një organizatë që në statusin e saj është qendër e një partie. Ne po kërkojmë një interpretim nga një instancë tjetër që komisioni statuar ta bëjë një gjë të tillë”, tha Gecaj.

Ai shtoi se do të përgatisin kallëzim penal ndaj u.d. sekretarit dhe rektorit për këtë çështje.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, ritheksoi po ashtu se nuk është në mandat të Senatit të merret më këto çështje.

Kurse, senatori Bujar Dugolli tha se në UP gjithmonë ka pasur probleme të tilla sa i përket përfaqësimeve studentore në Senat.

“Gjithmonë probleme të tilla kanë ndodhur si rezultat i sistemit që është  e ndërtuar dhe e politizon studentin dhe nuk zgjedhin studentët më elitarë. Unë kam udhëhequr, s’ka parti politike këtu, çfarë pushteti keni ju, s’keni pushtet, këta e bëjnë pushtetin, këta na punojnë rregulloret, KD plotësisht i papërgjegjshëm, me rregullore këta na kanë bërë me koncepte ligjore, futen në proces zgjedhor e s’tregojnë se qysh me përfundu proces zgjedhor”, tha Dugolli.

Në fund Senati mbylli mbledhjen e jashtëzakonshme pasi u konstatua se nuk kanë mandat që të bëjnë ndryshime në këtë pikë.

Nesër në ora 14:00 pritet të mbahet mbledhja e Senatit ku pikë e parë e rendit të ditës është konfirmimi i listës së senatorëve të zgjedhur nga Parlamenti i Studentëve, ndërsa pika e dytë është zgjedhja e pesë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.