FOTO: KALLXO.com

Inspektorati i Arsimit del me vendim për rastin e çerdhes në Fushë Kosovë

Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga puna 3 punëtorët e çerdhes “Gëzimi ynë”, N.M, SH.I dhe N.H, pas publikimit të pamjeve, ku keqtrajtohet një 3-vjeçar.

Tutje sipas vendimit, DKA-ja obligohet që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, “e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë.”

“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, N.M, SH.I dhe N.H  derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”- ka njoftuar këshilltarja për media në Ministrinë e Arsimit, Edona Kutleshi-Maliqaj.

Në anën tjetër, të martën dy edukatoret, N.M dhe N.H, që dyshohet se kanë keqtrajtuar 3-vjeçarin janë ndaluar për 48 orë nga Policia.

Ndërsa të mërkurën, Prokuroria ka parashtruar kërkesën për caktim e masës së paraburgimit për N.M. dhe N.H., edukatore dhe kuzhiniere në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, nën dyshimin se janë të përfshira në keqtrajtimin e një 3-vjeçari.

Të njëjtat dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

“Ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Bajram Zogiani, avokati i edukatores N.M. kishte deklaruar të martën se e gjithë çështja po hiperbolizohet.

Ndërsa, drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë Fatlum Berisha të martën ishte deklaruar duke thënë se nuk e quan dhunë deri në momentin kur vërtetohet nga ekspertët, dhe për këtë presin vendimin final nga organet kompetente.

“Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht kushdo që është i përfshirë në momentin që na kemi një vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit… Janë organet kompetente të cilat kanë me vendos në fund dhe unë ka me qëndru mbrapa vendimit të tyre”, ka shtuar ai.