Filloi viti i ri shkollor
Të gjithë nxënësit e shkollave të Kosovës sot do të i’u bashkohen bankave shkollore me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019/2020.
Fillimin e vitit të ri shkollor e kanë uruar edhe liderët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.
Thaçi ka shkruar se tani është koha që të rritet cilësia, duke thënë se në vitet e fundit është punuar në objekte shkollore dhe kurrikula.
“Por, suksesi i nxënësve që sot për herë të parë vijojnë ë klasën e parë, do të përcaktojë nesër fatin dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Në këto dy dekadat e fundit kemi investuar në infrastrukturë, kemi modernizuar kurrikulat dhe objektet shkollore. Tani është koha që të nxisim cilësinë, si parakusht për forcimin e përgatitjes profesionale të fëmijëve tanë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Urim pak më ndryshe për këtë ditë pati kryeministri Haradinaj, ku ka postuar edhe një foto të djalit të tij Gjinit.
Por, edhe ai u mburr me të arriturat që janë bërë në arsim gjatë mandatit të tij.
“Në ditën e parë të shkollës për këtë vit akademik krah Gjinit, i cili po e nisë një etapë të re të edukimit në Gjimnazin “Loyola”. Kemi shënuar të arritura në ngritjen e cilësisë së arsimit në vend, avancim në planprograme dhe infrastrukturë moderne dhe pandalshëm do të punojmë që shkolla jonë të jetë e modelit dhe standardeve europiane. Urime fëmijëve që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës dhe punë të mbarë mësimdhënësve si bashkëudhëtarë në rrugën e dijes. Gjinit dhe të gjithë nxënësve kudo në Kosovë u priftë e mbara në këtë vit të ri shkollor”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Viti i kaluar shkollor ishte shoqëruar me greva të mësimdhënësve si shenjë pakënaqësie ndaj Ligjit për Paga, që shkaktoi edhe humbje të orëve të mësimit duke pasur edhe probleme në kompensimin e tyre.