Ilustrim

Mbyllja e 19 shkollave në Kamenicë, SBAShK-u paralajmëron grevë të përgjithshme

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës e Kosovës(SBAShK) ka paralajmëruar grevë 2 orëshe të martën në të gjitha shkollat e Kamenicës si paralajmërim i fundit nëse kryetari Qëndron Kastrati nuk heq dorë nga vendimi për mbylljen e 19 shkollave në të kundërten paralajmërojnë grevë të përgjithshme.

SBAShK-u ka bërë të ditur kështu nga takimi konsultativ me kryesinë qendrore dhe me kryetarët e Kuvendeve të Arsimit Fillor e të Mesëm nga të gjitha komunat në vend.

Sipas tyre, është  vendosur të përcillet me kujdes nisja e vitit të ri shkollor në Kamenicë duke uruar që edhe atje të mos ketë probleme po mësuesit dhe nxënësit të fillojnë punën arsimore e edukative  secili në shkollën e tij dhe që të mos ketë shkolla të mbyllura.

“Nëse kështu nuk ndodh atëherë  të martën  në të gjitha shkollat e Kamenicës do të ketë grevë dyorëshe si paralajmërim i fundit dhe nëse për një javë kryetari   Kastrati nuk tërheq vendimin e tij atëherë do të niset me grevë të përgjithshme e në kohë të pacaktuar.  Solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj  këtij veprimi  punëtorët arsimor të Kosovës  do ta dëshmojnë me një grevë njëorëshe  në tërë sistemin arsimor. Nëse as pas kësaj nuk  ka tërheqje të vendimit për mbyllje shkollash nga ana e Kastratit, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut për të marrë vendim lidhur me veprimet tjera sindikale në tërë Kosovën”, thuhet tutje në komunikatën e lëshuar nga SBAShK-u.

Pas kësaj, thuhet së është hapur debati dhe kryetarët kanë informuar se në komunat tjera nuk ka probleme të tilla dhe se viti shkollor do të nis mbarë.

Më tej, kjo sindikatë ka kërkuar nga MASHT-i që të reagojë ndaj idesë së kryetarit Kastrati dhe që çështja e zvogëlimit të numrit të nxënësve të diskutohet pas formimit të institucioneve qendrore në zgjedhjet e 6 tetori.

Ndryshe, 19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në muajin shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ndodhen ato.

Nga shtatori Kamenica pritet të mbyllë 19 shkolla