Foto: Ardian Gjini/Facebook

Ardian Gjini viziton policin gjakovar të plagosur gjatë aksionit në veri

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini e ka vizituar njërin nga policët e plagosur në aksionin e Policisë së Kosovës në komunat veriore.

“Përderisa policët tanë duke i kryer detyrat e tyre në luftë kundër krimit të organizuar përballen me plumbat e kriminelëve të cilët i mbron shteti serb, qytetarët tanë plotësisht të pafajshëm arrestohen në Serbi”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Gjini i ka uruar shërim të shpejtë dhe kthim të shpejtë në detyrë policit Hysen Ademi.

Në të njëjtën kohë iu ka bërë thirrje institucioneve të BE-së që ta rrisin trysninë në shtetin serb për lirimin e menjëhershëm të Marjan Gjokaj. Gjokaj, punëtor i ATK-së i cili ishte arrestuar dy ditë më parë nga autoritetet serbe.

“Pa asnjë arsye të logjikshme po mbahet në arrest!”, ka shkruar Gjini.

Policia e Kosovës sot në orët e para të mëngjesit ka zhvilluar një operacion në komunat veriore, ku ka arrestuar disa persona me dyshimin për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Miradije Kelmendi nga Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se në këtë operacion janë bastisur 12 lokacione si dhe 19 punonjës policorë janë arrestuar.

“Prej tyre 11 janë të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe  4 të nacionalitetit boshnjak. Prej tyre 1 ka qenë i gradës kapiten, 3 në gradën e rreshterit dhe të tjerët pjesëtarë policorë”, ka thënë ajo.

Sipas Kelmendit, gjatë aksionit janë konfiskuar edhe gjësende të ndryshme si armë, pajisje teknologjike dhe para.

Policia e Kosovës ka hasur në rezistencë ku ka pasur edhe policë të plagosur.

https://kallxo.com/arrestime-plagosje-e-barrikada-nga-aksioni-i-sotem-i-policise-se-kosoves/