Policia e Kosovës

Policia jep detaje për aksionin e Krimeve Ekonomike në Gjakovë

Tri lokacione të ndryshme janë kontrolluar nga ekipet e policisë së Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit sot në Gjakovë.

Policia ka njoftuar se ky operacion është zhvilluar pasi autoritetet e Belgjikës kanë dërguar kërkesë pranë autoriteteve shtetërore të Kosovës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare.

Sipas njoftimit, dyshohet se shtetas të Kosovës në bashkëveprim me disa shtetas të Belgjikës gjatë periudhës kohore 2020 -2022 janë marrë me veprimtari penale.

“Dyshohet të kenë krijuar të ardhura të mëdha të cilat përmes rrugëve të ndryshme i kane transferuar në Kosovë duke investuar në paluajtshmëri”- thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se gjatë kontrollit është arritur të sigurohen fatura të shpenzimeve, të cilat të dyshuarit i kanë investuar në Kosovë, e që dyshohet të jenë produkt i veprave penale të kryera nga ana e tyre.

Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit kanë marrë pjesë edhe një ekip nga Belgjika (një gjyqtar hetues dhe tre hetues policorë), bazuar në lejen e autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Rasti vazhdon të hetohet në bashkëveprim me autoritetet e Belgjikës, ka njoftuar PK.