Hapet rruga për qarkullim në vendin ku u zhvillua aksioni në Prishtinë

Rruga që ishte mbyllur nga ana e Policisë së Kosovës për shkak të aksionit që po zhvillohej në Prishtinë për rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë tashmë është hapur.

Zyrtarët policor po lejojnë qarkullimin në këtë zonë.

Një polic ka mbetur i lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës që u zhvillua në tri vende të ndryshme, e gjendja e tij shëndetësore, sipas njoftimit zyrtar të PK-së, është jashtë rrezikut për jetë.

Lëndimi i policit u bë gjatë aksionit policor, ku njëri nga të dyshuarit me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.

Më pas, policët që ishin prezent në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar.

Sipas Policisë, deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër që ende gjendet në kërkim policor.

Hetimet intensive të hetuesve policor që u zhvilluan që nga 22 nëntori e deri më sot, sollën edhe rezultat.

Vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim e armëmbajtje pa leje janë vetëm disa prej veprave penale që Policia e Kosovës ka thënë se janë kryer ndër vite nga grupi i personave të dyshuar për rastin e grabitjes së armatosur në Suharekë.

Një aksion policor, në tri lokacione që përfshijnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën është realizuar sot në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Tutje në njoftimin e Zyrës për Media të Policisë u tha se veprimet hetimore intensive të policëve janë duke u kryer në vazhdimësi që nga data 22 nëntor, ditën kur të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë.

Sipas PK-së, si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht u arrestuan tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes.

Dy prej tyre janë në paraburgim, përderisa një tjetër u lirua në procedurë të rregullt.

Policia njoftoi se pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë u realizua operacioni policor, i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

Gjykata e Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

Të dy të dyshuarit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit gjatë një seance paraprake në Gjykatën e Prizrenit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e grabitjes në Suharekë mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .