Pajisje të sekuestruara gjatë operacionit anti-drogë në Mitrovicën e Veriut, foto: Facebook

Sveçla për aksionin në veri: Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve është rreth 2.3 milionë euro

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dhënë sërish detaje rreth operacionit policor anti-drogë në Mitrovicë të Veriut.

Sveçla ka bërë të ditur se është shkatërruar edhe laboratori i tretë i drogës.

Sipas tij, vlera e llogaritur e sasisë së lëndës narkotike dhe paisjeve është rreth 2.3 milionë euro.

“Profili i atyre që e ushtrojnë këtë veprimtari kriminale në veri të vendit tonë është i qartë: Paramilitarë e narkodilera. Këta po i mbron, mbështet dhe kur ju duhet i orkestron Presidenti i Serbisë Vuciq dhe pas tij ministri i mbrojtjes Vuceviq dhe Petkovic”- ka shkruar ministri në Facebook.

Sipas tij, barrikadat në veri të vendit në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët.

“Siç kemi thënë barrikadat e vendosura gjatë muajit dhjetor në katër komunat e veriut të vendit në të vërtetë kanë mbrojtur drogën e jo qytetarët. Kanë mbrojtur grupet e krimit të organizuar dhe jo burrat e gratë të komunitetit serb shtetas të Kosovës. Ato kanë mbrojtur vetëm dhe vetëm fijet e krimit që dërgojnë në ndërtesën presidenciale të Serbisë, aty nga ku Vuciq dirigjon klanet kriminale për paratë e trafikut me të cilat më pas sulmon shtetin tonë në emër të të drejtave të qytetarëve” – thuhet në postimin e Sveçlës.

“Asnjë qytetari në botë nuk mund të mbrohet nga narkodillerat dhe paramilitarët. Kjo kohë ka marrë fund. E drejta do të triumfojë edhe më herët se sa që e kanë paramenduar” – ka shkruar ai tutje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot pas hetimeve intensive në rajonin e Mitrovicës veri, është realizuar një operacion policor anti-drogë.