Anulohet konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar

Këshilli Drejtues i Muzeut Kombëtar të Kosovës ka anuluar konkursin e shpallur në fund të muajit maj për zgjedhjen e drejtorit të Muzeut të Kosovës.

Anulimi i këtij konkursi nga ana e KD-së së MKK-së, është bërë gjatë mbledhjes së këtij këshilli të mbajtur gjatë ditës së djeshme.

Mosplotësimi i kushteve të kërkuara me konkurs i dy prej kandidatëve, prej katër sa kishin konkurruar gjithsej, sipas KD-së së MKK-së ka bërë që ky këshill të anulojë konkursin.

Selim Bezeraj, kryetar i KD-së së MKK-së, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se anulimi i konkursit është bërë për shkak se nga katër kandidatët sa kanë konkurruar në konkurs vetëm dy i plotësonin kriteret.

Sipas tij, pa qenë së paku tre kandidatë që i plotësojnë kriteret e konkursit nuk mund të zgjidhet drejtori i MKK-së.

“Tash ne rekomanduam hapjen e konkursit për rekrutim të jashtëm për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Mirëpo, pavarësisht se KD-ja e MKK-së, ka vendosur për anulimin e konkursit, lajmi për anulimin ende nuk është bërë publike, përmes ueb-faqes së MKRS-së.

“Njoftimi për anulimin e konkursit pritet të dalë brenda dy tre ditëve edhe në ueb faqen e MKRS-së”, ka thënë Bezeraj.

Konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur më 27.05 2019, ndërsa është mbyllu me tre të këtij muaji.

Ndërkaq kriteret që është dashur t’i plotësojnë pretendentët që synojnë kreun e MKK-së, përveç shkollimin adekuat superior, njohurive në fushën e trashëgimisë dhe kritere tjera, është dashur të dëshmojnë edhe së paku 7 vjet përvojë punë dhe 4 vjet përvojë pune në vend udhëheqëse.

Që nga korrik i vitet të kaluar Muzeu Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa drejtor dhe MKRS vendosi të hapë konkursin për zgjidhjen e drejtorit të këtij institucioni  vetëm në fund të muajit të shkoi.

 

 

12 Qershor 2019 - 15:28

Isa Vatovci 12/06/2019 - 15:28
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend