Aktakuzë Ndaj Kryeprokurores Shpresa Bakija Për Rrjedhjen e SMS-ve të Dashurisë

Nëntë muaj pas raportimeve në emisionin Drejtësia në Kosovë për skandalin e rrjedhjes së mesazheve të dashurisë nga Prokuroria e Gjakovës, Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija.

Aktakuza e prokurorisë së Gjilanit e cila është ngritur bazuar në të dhënat e raportuara në emisionin e datës 5 tetor 2014 e ngarkon Bakijajn me tri vepra penale përfshirë zbulimin e fshehtësisë zyrtare, shpërdorimin e pozitës dhe veprën penale të cenimit të fshehtësisë së korrespondencës.

Në tetor të vitit të kaluar, Drejtësia në Kosovë bazuar në një raportim në KALLXO.com publikoi të gjeturat e një hulumtimi i cili faktoi se mesazhet telefonike të një gruaje ishin printuar dhe më pas kishin përfunduar në duart e ish- burrit të saj.

Mesazhet të cilat flisnin për një lidhje dashurie jashtëmartesore më pas ishin shpërndarë tek familjarët e gruas e cila pas zbulimit ishte ndarë nga burri i saj.

Poseduesi i dosjes me mesazhe pranoi se tabulatet ishin marrë nga Prokuroria e Gjakovës dhe për këtë shërbim ai kishte paguar 250 euro.

Deklarata e këtij personi dhënë në Drejtësia në Kosovë u shfrytëzua si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit.

Siç shkruhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori Agron Uka hetimet janë nisur në muajin nëntor të vitit 2014 vetëm disa javë pasi zyra ligjore e KALLXO.com e kishte njoftuar Prokurorinë e Shtetit për të gjeturat e transmetuara me datë 5 tetor.

E kontaktuar nga hulumtuesit e KALLXO.com, Kryeprokurorja e Gjakovës Shpresa Bakija e ka quajtur të pabazuar në ligj aktakuzën ndaj saj duke thënë se kjo aktakuzë “është e bazuar në shpifje e jo në fakte”.