Aktakuzë Kundër Gavriqit për Përgatitje të Terrorizmit

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Sllobodan Gavriqit që u kap me një sasi eksplozivi në Prishtinë.

Në një komunikatë të lëshuar nga kjo prokurori thuhet se është ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet S.G. për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit.

Komunikata bën me dije se aktakuza është ngritur ngase “i pandehuri S.G, me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Më tutje në komunikatë shpjegohet sasia dhe fuqia e eksplozivit me të cilin u furnizua i akuzuari

“I pandehuri S.G. gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale 12,219/kg, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale,” thuhet në komunikatë.

Pastaj komunikata njofton se kjo sasi eksplozivi u transportua në Prishtinë.

“[Këto pajisje] pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi,” vijon komunikata.

Ekspertiza e eksplozivit është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Agjencia Kosovare e Forenzikës, bën me dije komunikata.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i vazhdojë masën e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Për këtë temë kishte raportuar edhe KALLXO.com-i.