Ndërtesa e AKI. Foto: Kallxo.com

AKI deklarohet për vrasjen në ndërtesën e saj

Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) konfirmoi se sot paradite një person është vrarë në ndërtesën e këtij institucioni.

Sipas AKI-së, vrasja nuk ka të bëjë me me çështje që ndërlidhen me punën e këtij institucioni.

“Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, ka thënë AKI në njoftimin për media, raporton Koha.net.

Më herët, zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, tha për KALLXO.com se një i plagosur që ka ardhur nga incidenti në AKI, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ndërsa Ibrahim Berisha, Zëvendës Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e ka konfirmuar këtë vrasje për KALLXO.com.

“Ka ndodhur një vrasje në ndërtesën e AKI-së. Viktima ka vdekur nga plagët. Prokurori tash do të dalë në vend të ngjarjes. Detajet mund t’i japim më vonë”, tha Berisha.