Ilustrim

Shtetasi Shqiptar Kapet në Kufi me 13.5 Kg Lëndë të Dyshuar Narkotike

Në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, Policia kufitare shqiptare dhe shërbimet doganore në pikën kufitare Tre Urat, Përmet, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për trafik të lëndëve narkotike.

Rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme.

Në dalje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi J. H. me automjetin e tij.

Pas përfundimit të procedurave të kontrollit të dokumentacionit, punonjësit e Policisë Kufitare, e kanë kaluar automjetin në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.

Siç njofton Policia e Shtetit, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në një vend të përshtatur në shasinë e mjetit u gjet lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Pesha totale e lëndës rezultoi 13.5 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J.H., 36 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.