Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dënohen shtetasit e Shqipërisë për trafikim të 55 kilogramëve drogë

Gjashtë muaj pasi 4 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzën e trafikut të 55 kilogramëve marihuanë nga Shqipëria për në Kosovë, gjykata sot dënoi grupin e Adam Nezajt, me 12 vjet e 10 muaj burgim dhe 37,500 euro dënim me gjobë.

Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës thuhet se gjykata e gjeti fajtor dhe dënoi Adam Nezajn me 2 vjet e 10 muaj burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 7 mijë eurosh.

Të akuzuarit Islam Basha dhe Lavdim Osmani u dënuan me nga 3 vjet e 6 muaj burgim dhe me nga 10 mijë euro dënim me gjobë.

Ndërsa Vegim Esati u dënua me 3 vjet burgim dhe 10,500 euro dënim me gjobë.

Gjykata  gjithashtu konfiskoi edhe 55 kilogramë marihuanë, veturat “Pick up”,  “Citroen”, “Audi A6”, “BMË X3”, një pistoletë e tipit “Gap” një karikator me 18 fishekë, 9 telefona, para të gatshme 2,573 euro, 750 lekë, 245 euro, 18,100 lekë, 390 euro, 101,100 lekë.

Aktakuza thotë se Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani më 23 qershor të këtij viti ishin takuar në Tiranë ku janë dakorduar duke ndarë edhe rolet, në atë mënyrë që të akuzuarit Basha dhe Osmani kishin për detyrë ta përgatisnin terrenin për drogën që do ta sillte i akuzuari Adam Nezaj nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa i akuzuari Vegim Esati kishte për detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të policisë.

https://kallxo.com/ligji/prokuroria-keshtu-te-akuzuarit-nga-shqiperia-ndane-rolet-dhe-sollen-ne-kosove-55-kg-droge/

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Adam një ditë më vonë me datën 24 qershor kishte hyrë në Republikën e Kosovës me veturën e tipit ‘’Citroen C8’’ me ngjyrë të zezë.

Ai ishte takuar me të akuzuarin Lavdërim Osmani të cilin e kishte dërguar i pandehuri Mustafë Esati  në ‘’Viva Fresh’’ në Prishtinë, dhe pasi bisedojnë në mes veti të akuzuarit Adam Nezaj dhe Lavdërim Osmani janë nisur me veturën Citroen C8 për në shtëpinë e të pandehurit Mustafë që gjindet në Lipjan, ku edhe takohen me dy të akuzuarit e tjerë Islam Basha dhe Vegim Esati.

Pastaj kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së të pandehurit Mustafë Esati ku gjendej vetura e tipit ‘’Pick Up’’ dhe nga vetura ‘’Citroen’’ e të akuzuarit Adam Nezaj zbrasin sasinë e narkotikut të cilën e ngarkojnë në veturën ‘’Pick up’’.

Pas zbrazjes së narkotikëve i akuzuari Adam ishte nisur me veturëne  tij në drejtim të Lipjanit, ndërsa i pandehuri Musatafë Esati me veturën e tij BMË X3, ishte nisur në drejtim të depos së tij ku me tu afruar në oborr të depos  derisa policia kishte hyrë në depo për kontroll i akuzuari Vegim Esati kishte thënë ‘’ ikni policia’’.

Policia e Kosovës me rastin e kontrollimit në vendin e ngjarjes  kishte gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë  narkotikë të llojit marihuanë dhe në të njejtën kohë kishin arrestuar të akuzuarit Islam Bashën në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë, Lavdërim Osmanin dhe Vegim Esatin e pak orë më vonë ishte arrestuar edhe Adam Nezaj në territorin e Gjakovës,

Ndërsa Mustafë Esati ende është në arrati.