Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Kështu të akuzuarit nga Shqipëria ndanë rolet dhe sollën në Kosovë 55 kg drogë

Në Gjykatën e Prishtinës ka nisur gjykimi i Adam Nezajt, Islam Bashës, Lavdërim Osmanit dhe Vegim Esatit, të akuzuar për trafikimin e narkotikëve të llojit marihuanë në sasi prej 55 kilogramë nga Shqipëria në Kosovë.

Pasi u lexua aktakuza nga prokurori special, Blerim Isufi, 4 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

Aktakuza thotë se Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani më 23 qershor të këtij viti ishin takuar në Tiranë.

Atje ishin marrë vesh që Basha dhe Osmani të përgatisnin terrenin për drogën që do ta sillte i akuzuari Adam Nezaj nga Shqipëria në Kosovë.

Ndërsa i akuzuari Vegim Esati kishte për detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të Policisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Adam Nezaj një ditë më vonë kishte hyrë në territorin e Kosovës me veturën e tipit ‘’Citroën C8’’ me ngjyrë të zezë.

Ai ishte takuar me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin e kishte dërguar i pandehuri Mustafë Esati  në ‘’Viva Fresh’’ në Prishtinë, dhe pasi bisedojnë në mes vete të akuzuarit Adam Nezaj dhe Lavdërim Osmani janë nisur me të njëjtën veturë për në shtëpinë e të pandehurit Mustafë Esati që gjindet në Lipjan, ku edhe takohen me dy të akuzuarit e tjerë, Islam Basha dhe Vegim Esati.

Pastaj kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së të pandehurit Mustafë Esati ku gjendej vetura e tipit ‘’Pick Up’’ dhe nga vetura ‘’Citroën’’ e të akuzuarit Adam Nezaj zbrazin sasinë e narkotikut të cilën e ngarkojnë në veturën ‘’Pick up’’.

Pastaj Adam Nezaj ishte nisur me veturën e  tij në drejtim të Lipjanit, ndërsa i pandehuri Musatafë Esati me veturën e tij BMW X3, ishte nisur në drejtim të depos së tij ku me t’u afruar në oborr të depos  derisa policia kishte hyrë në depo për kontroll i akuzuari Vegim Esati kishte thënë “Ikni Policia!”.

Policia e Kosovës me rastin e kontrollimit në vendin e ngjarjes  kishte gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë  narkotikë të llojit marihuanë dhe në të njëjtën kohë kishin arrestuar të akuzuarit Islam Bashën në një dhomë në katin e dytë të shtëpisë, Lavdërim Osmanin dhe Vegim Esatin e pak orë më vonë ishte arrestuar edhe Adam Nezaj në territorin e Gjakovës.

Ndërsa Mustafë Esati ende është në arrati.

Gjatë seancës së sotme u propozua  që për të akuzuarit të zëvendësohej masa e paraburgimit me dorëzani dhe atë për të akuzuarin Lavdërim Osmanin u ofrua shuma në lartësi prej 20 mijë euro, për të akuzuarin Islam Basha 8 mijë dhe për të akuzuarin Vegim Esati 5 mijë euro.

Por gjykatësja speciale Albina Shabani Rama, pas dëgjimit të prokurorit special Blerim Isufi refuzoi këtë propozim duke e lënë në fuqi vendimin e datës 21 nëntor me të cilin u ishte vazhduar paraburgimi.

Të akuzuarit gjendet në paraburgim nga data 24 qershor i këtij viti.

Kujtojmë se të akuzuarit janë me origjinë nga Shqipëria dhe atë Adam Nezaj nga Tropoja, Islam Basha nga Tirana, Lavdërim Osmani nga Dibra ndërsa i  akuzuari Vegim Esati ka edhe shtetësi të Serbisë.