Foto: Tanjug

Serbia Padi Ndaj UEFA-s

Federata e Futbollit e Serbisë do ta padisë UEFA-n në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Llozanë për shkak të pranimit të Kosovës, ka paralajmëruar sot shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe ministri serb i sportit, Vanja Udoviçiq.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas votimit në UEFA ku aplikacioni i Kosovës mori 28 votat e nevojshme për pranim, Gjuriq dhe Udoviçiq thane se me këtë vendim “është shkelur e drejta, është, është shkelur Statuti i UEFA-s dhe sporti është vënë në funksion të politikës”.

Gjuriq tha se shteti serb do t’i ndihmojë federatës serbe që “ky vendim të mos kalojë lehtë dhe ashtu si e kanë menduar separatistët”.

“Kjo e hap kutinë e Pandorës”, u tha Gjuriq gazetarëve në Beograd

Gjuriq është shprehur se të gjitha klubet serbe nga Kosova do të vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të Federatës së Serbisë.