nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit. Foto: Kallxo.com

Qeveria Votohet Nesër

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër për të debatuar dhe votuar për kabinetin qeveritar të propozuar nga i mandatuari për këtë post, Ramush Haradinaj.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të fillojë në orën 16, vendosi sot kryesia e Kuvendit.

Sipas kryeparlamentarit Kadri Veseli, këtë seancë e kanë kërkuar 45 deputetë.

“Qeveria e ardhshme ka shumë punë. Kosova do të vazhdojë orientimin e vet euro-atlantik. Nuk kemi shtet tjetër, atdhe tjetër pos Kosovës dhe do të bashkohemi të gjithë. Do të punohet në agjendën ekonomike”, tha Veseli pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Veseli tha se do të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Kuvendit në rast se Haradinaj dështon t’i marrë votat e mjaftueshme për ta bërë qeverinë.

“Unë nuk do të jem kryetar i kuvendit nëse nuk zgjedhet qeveria Haradinaj”, tha ai.

Veseli foli edhe për raportimet për kushtëzime të Listës Serbe dhe konsultimet e tyre me Beogradin para se ta zotojnë votën për qeverinë e koalicionit PAN-AKR.

“Kurrë nuk do ta udhëheqë këtë vend Serbia. Asnjë kushtëzim nga askush nuk do të lejohet, sovraniteti është i shenjtë”, shtoi ai.