Pritet Demolimi i Betonierës në Tokë të Komunës

Kryetari i Lipjanit megjithëse me pak vonesë e mbajti premtimin që e kishte dhënë në debatin “Jeta në Komunë të zhvilluar më 27 dhjetor 2015.

Çështja e betonierës ishte ngritur në debatin “Jeta në Komunë” nga Ramiz Qeriqi asamblist i PSDK-së i cili kërkoi llogari nga kryetari i komunës për mosmbylljen e kësaj betoniere të cilën sipas tij e kanë kërkuar edhe qytetarët me nënshkrime.

Kryetari i komunës së Lipjanit Imri Ahmeti kishte premtuar publikisht në këtë debat se puna e kësaj betoniere do të ndërpritet më 1 janar të vitit 2016.

“Vendimin e ka, e kam thirrur edhe në zyrë para dy-tre muajsh dhe i kam kërkuar, ti mund ta vazhdosh edhe një muaj apo dy, por më 1 janar aty nuk guxon të jetë ajo kompani, tha Ahmeti gjatë debatit.

Betoniera, N.T.P . “Kastrioti” u mbyll nga Inspektorati i Komunës më 24 shkurt, ndërsa po pritet demolimi i saj nga pronari i kësaj kompanie.

Imer Rrustemi nga Inspektorati i Komunës tregon se vonesa për mbylljen e kësaj betoniere ka  ndodhur sipas tij për pasojë të mosrespektimit të urdhrit nga ana e kompanisë.

“Me vendimin e kryetarit i njëjti ka pasur të drejtën e shfrytëzimit deri më 1 janar të vitit 2016. Për shkak të mosrespektimit të urdhrit të organeve kompetente komunale, të njëjtën e kemi mbyllur me datën e lartcekur,” konstatoi Rrustemi.

Rrustemi gjithashtu theksoi se betoniera ka punuar në tokën e komunës vetëm në bazë të një marrëveshjeje gojore e pa ndonjë dokument apo diçka tjetër që do të ja legalizonte vazhdimin e punës.

“Ai përveç marrëveshjes gojore që e ka pasur me kryetarin, në shenjë respekti për biznesin e lartcekur. Përndryshe kurrfarë marrëveshje tjetër nuk ka pasur,” theksoi  inspektori.

KALLXO.com kontaktoi përmes telefonit me Kastriot Fazlijan pronarin e kësaj betoniere, i cili tha se është në telashe me Komunën e Lipjanit dhe i ka shkruar letër për leje të përkohshme dhe nëse nuk ia japin komuna këtë leje, ai ka premtuar se do ta demolojë vetë atë betoniere.

“Punimet i kanë ndërpre se jam në telashe me ta se nuk po me japin një leje, nuk e di arsyen aty kur e kemi blerë e kemi privatizuar atë bazën e asfaltit aty- ka qenë e ‘Magjistrales’ më parë dhe toka është e komunës unë i kam shkruar letër komunës për ndonjë leje të përkohshme dhe nëse nuk bëhet me na u dhënë leje kemi premtuar me demoluar,” tha Fazlija.