Kryetari i Ranillugut Gradimir Mikiq preferon llulën elektronike | Foto: Atdhe Mulla

Ranillugu (Mos)Zbatues i Ligjeve

Ranillugu ndodhet në lindje të Gjilanit. Dikur ishte pjesë e tij, por tash, Ranillugu është një komunë më vete për shkak të decentralizimit që filloi gati 10 vite më parë.

Sot, Ranillugu më shumë se një fshat të madh, përbën një komunë të vogël. Me një reliev kryesisht të rrafshët është një vend bujqësor. Në Domorovc, një fshat i Ranillugut. është vendi ku do të mbahej debati me kryetarin dhe asamblistët.

Kryetari Gradimir Mikiq edhe pse i ulur në karrigen nga ku do të fliste në debat, ende mbante në dorë një cigare elektronike, nga këto që për nja 1 muaj ishin në modë. Kur u pa se nuk e kishte ndërmend ta hiqte nga dora as gjatë emisionit, regjia provoi ta bindte se nuk do të dukej fare hijshëm po qe se ai do ta thithte këtë cigare elektronike gjatë incizimit.

Gazetarja Sanja Soverlliq, kryesuesja provizore e debatit | Foto: Atdhe Mulla
Gazetarja Sanja Soverlliq, kryesuesja provizore e debatit | Foto: Atdhe Mulla

Ndonëse dukej i pashtruar, ai u bind duke çuar nëpër dhëmbë, besoj ankesa mospajtimi me kërkesën.

Debatin e hapi kryesuesja provizore Sanja Sovërlliq, një gazetare serbe bashkëpunëtore e Jeta në Komunë. Ajo menjëherë kërkoi të dinte se si shkonin punët me ndërtesën e re të komunës për shkak të mospërfundimit të së cilës ndodheshim në lokale të vjetra në një fshat të Ranillugut.

Kryetari tha se ky ishte investim i donatorëve në bashkëpunim me qeverinë e vendit dhe se nuk e kuptonte përse s’ishte kryer ende. Më tej, kryetari Mikiq preferoi të rrinte i heshtur lidhur me këtë çështje.

Por, ai theksonte se Ranillugu kishte qenë në “zero” dhe se gjithçka që ne shihnim ishte e ndërtuar nga qeverisja e tij. Në disa nga komunat serbe, nuk ka opozitë. Ekziston një mënyrë qeverisjeje ende më jofunksionale se nëpër komunat tjera të Kosovës. Por këtu po flasim për disa komuna më pak të integruara se po të shohësh në Graçanicë, qeverisja tashmë ka mbërritur në nivele më efiçiente nga sa mund të imagjinohet.

Një i moshuar në rrugët e Domorovcit | Foto: Atdhe Mulla
Një i moshuar në rrugët e Domorovcit | Foto: Atdhe Mulla

Me gjithë problemet, kryetari me anë të demagogjisë mundohet gjithë kohës t’u bëjë bisht pyetjeve e t’i delegjitimojë ato pak shqetësime që ngriste gazetarja Sovërlliq. Kur regjia paraqet fotografitë e rrugëve të dëmtuara ndërkohë që janë të reja, ai filloi të nervozohej.

Kanalizimin e mbyllur e bëri çështje mes tij dhe oponentëve të tij që të paktën në sallë nuk dëgjoheshin. Ai akuzonte se dikush po ia mbyll kanalizimet me qëllim, se për shembull, në një kanalizim kishte gjetur edhe batanije shtrati dhe sipas tij, kjo ishte shenjë e qartë se kishim të bënim me një lloj sabotazhi.

Kur vinte fjala për data apo ndonjë të dhënë konkrete, kryetari Mikiq refuzonte t’i jepte ato. Mund të thuhet madje, se ai ishte nervoz.

Kryetari i Ranillugut Gradimir Mikiq pa llullën elektronike | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Ranillugut Gradimir Mikiq pa cigaren elektronike | Foto: Atdhe Mulla

Një gjë doli disi e papritur në diskutimet që ai zhvillonte. Tek fliste për disa probleme me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) nuk hezitoi që ta quante “kancer” të të gjitha komunave, përfshirë dhe Ranillugun.

Ai, një kryetar i një komune me shumicë serbe, që ishte hera e parë të dëgjoja kësisoj, e akuzonte AKP-në se shkel “ligjet që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës”. Një kryetar i një “komune serbe” që mbronte ligjet e Republikës. Kjo është ajo që i duhet këtij vendi. Një bashkim rreth ligjit dhe interesit të përbashkët të të gjithëve.

Dhe ja, nga thyerja e ligjit mbërritëm te mbrojtja e ligjeve. Kontradikta e kryetarit s’kishte asnjë kuptim e megjithatë deri në një masë mund të konsiderohej simpatike.

Asamblistët e Ranillugut në sallën e improvizuar të debatit komunal | Foto: Atdhe Mulla
Asamblistët e Ranillugut në sallën e improvizuar të debatit komunal | Foto: Atdhe Mulla

Po kur u pyet për atë se ç’mund të pritej nga ai, në kuptimin e atyre që do të bënte në komunë, ai dha përgjigjen e papritur: “Nga unë mund të prisni gjithçka”. Dhe vërtet nga ai pritej gjithçka. Të thyente e të mbronte ligjet. Në rast urgjence të krijonte një armik të paqenë për ta shfajësuar veten për ndonjë punë të pakryer. Ta fliste të vërtetën ashtu siç manipulonte mirë me të pavërtetën.