Kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani | Foto: KALLXO.com

Kamenica Dubai Nuk Bëhet

Vendi që ka ajrin më të pastër në Kosovë është Kamenica. Në kufi me malet që ndajnë Kosovën me Serbinë, e rrethuar ngado me gjelbërim, ajo është qyteti më i gjelbër në Kosovë. Emri Kamenicë në mos qoftë sllav atëherë me siguri ka ndonjë nga ato kuptimet ilire a pellazge.

Por për dikë që ka njohuri bazike të serbishtes e vëren se baza e fjalës është “kamen” që në serbisht do të thotë “gur”. “Kamenica” i bie diçka si “gurore”, por gjelbërimi i qytetit nuk është se ta lë shijen e një guroreje. Ku i dihet, mund të ketë pasur ndonjë gurore të famshme dikur dhe kësisoj qyteti e ka marrë këtë emër.

Meqë nuk e dimë, ua lëmë studiuesve të ilirëve e pellazgëve privilegjin për të na përndritur pasi spjegimi “pro sllav” nuk përputhet me realitetin fizik të Kamenicës.

Begzad Sinani nga PDK është kryetari deri diku karizmatik i Kamenicës. Ai njihet për deklarata kontradiktore. Kryesisht flet me një dozë humori, që tingëllon si sarkazëm, por problemi është se nuk merret vesh kur flet seriozisht e kur jo.

Qendra e kulturës ku mbahej mbledhja ishte identike me atë të Vitisë. Në ish-Jugosllavi ato që konsideroheshin projekte të suksesshme përsëriteshin dhe s’përbënte ndonjë problem pasja e dy shtëpive të njëjta të kulturës në dy qytete të ndryshme.

Madje kjo proklamohej si shenjë e barazisë dhe mundësive të barabarta, gjë që merret me mend për një federatë socialiste siç pretendonte të ishte Jugosllavia.

Salla ishte gati, gjithçka kishte marrë pozicionin e duhur, përfshirë kryetarin në foltore dhe kryesuesen provizore Jeta Xharra që do ta kryesonte këtë takim debati.

Regjia siç vepron shpesh, paraqiti fotografi të lumit të pastruar dhe sheshit të shtruar të qytetit si arritje të kryetarit aktual. Ndërkohë, në Kamenicë pusetat e metalta vidhen e shiten për hekur në tregun e zi. Këtu kryetari e pranonte se “lufta” ishte e vështirë.

Kamenica ka pasur ca suksese në sport: 2 sportistë kamenicas do të marrin pjesë në lojërat olimpike. Kryetari ndan si subvencione diku 16 mijë euro për sportin. Kjo mund të ketë lidhje edhe me ajrin e pastër me të cilin ushqehen mushkëritë e këtyre sportistëve kaq të suksesshëm.

Por, opozita që në këtë rast i binte të ishte edhe LDK-ja e cila kishte qenë në pushtet për shumë vite akuzonte për lloj-lloj çështjesh. E kryetari e shfrytëzonte këtë, siç e shfrytëzojnë jo rrallëherë kryetarët që vijnë pas vitesh qeverisjeje nga opozitarët. “Ku ishit ju 11 vjet që m’i latë gjithë këto punë?” – shtroi ai pyetjen që nxiti zhurma në sallë.

Ndonëse kjo ishte një zmbrapsje për LDK-në, ata shpejt rimorën veten. Bashkë me asamblistët e Vetëvendosjes artikuluan akuza të ndryshme, ndër to për mungesë uji e mosdhënie bursash. Për këtë të fundit u tha se nuk ishin realizuar të hyrat e planifikuara dhe me kaq mjaftoheshin ata të qeverisë komunale. A thua se mosrealizimi i të hyrave ishte diçka jashtë kompetencës së tyre, diçka e pavarur nga ta.

Pastaj regjia tregonte incizime nga fushata e vitit 2013 kur kryetari premtonte t’i rrënonte shkollat e t’i ndërtonte të reja. Por siç mund të merret me mend, është në natyrën e kryetarit të ngutet e të mos jetë i qartë për atë se kur bën shaka e kur flet seriozisht. Dhe kjo si duket e kishte ndihmuar në ikjen nga disa përgjegjësive.

Po kështu ishte puna edhe për shtëpinë e kulturës për të cilën kryetari kishte thënë “ko me hek krejt, me maru të re”.

Dikur erdhi puna edhe te një urë që po ashtu s’ishte kryer e dikur sikur për t’u mbrojtur kryetari na befasoi: “Unë Dubai këtu s’un’ e boj”. Vërtet Kamenica është e gjelbër dhe simpatike, por Dubai është edhe kaq larg nga çka mund të bëhet në Kamenicë, por edhe i panevojshëm si koncept krahasimtar me një vend siç është Kamenica.

Kryesuesja provizore Jeta Xharra bëri një ndërhyrje dhe frenoi me gjasë imagjinatën e të gjithë të pranishmëve që shihnin rërë të nxehtë, det të kaltër e godina të bardha super moderne: “Jo Dubai, veç një urë a ka mundësi?”

Dhe po. Ura, kanalizime e rrugë ka nevojë Kosova në shekullin e 21. Dubai dhe krahasimet me të, më shumë sesa lavdërime duhen marrë si ofendime drejtuar popullit të varfër.

E në fund ishte koha për të parë klipin në të cilin flasin bashkëshortet e kryetarëve për atë se si janë punët në komunë nga perspektiva e tyre. Ajo që na çuditi nuk ishte ndonjë gjë nga ato që tha bashkëshortja e kryetarit Sinani, që ishte një grua elokuente e mjaft e informuar për komunën e Kamenicës, më tepër se kaq, ishte kryetari vet, që pasi dëgjoi klipin shfrytëzoi rastin t’ia uronte ditëlindjen gruas së tij, ndërkohë që shprehu dëshirën e tij që ajo të bëhet presidente.

Çfarë përfundimi mund të kishte tjetër, debati me një kryetar aq kontravers e qe besa edhe karizmatik, përveçse me një dëshirë krejt të parealizueshme, por që shërbente më shumë si lajkë mes bashkëshortësh e për të cilën shpresojmë të ketë efektet që dëshiron kryetari e të sjellë ndonjë gjë të mirë për Kamenicën.