Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu | Foto: KALLXO.com

Veresitë e Podujevës

Në furrën e bukës hynin burra e gra, kush merrte 3 bukë, kush 5 e kush ndonjë byrek. Por për të paguar s’paguanin. Pas 3-4 hyrje-daljeve të tilla që përfundonin pa operacionin e fundit të pagesës, kur shitësi mbeti vetëm me asistenten i tha: “Shkruj: 3 Nehati, 5 Halimi, Idrizi i pat 4 bukë e 1 burek”. Atëherë u bë e qartë si ishte puna.

Veresia ishte koncepti me të cilin operohej ende në qendër të Podujevës. Kjo është një formë e vjetër e ndërveprimit ekonomik midis subjekteve, ku nevoja për realizim të “transaksionit” aty për aty, pra të kryerjes së menjëhershme të pagesës nuk ishte domosdoshmëri. Kjo sjellje “ekonomike” i ka fillet te format feudale ku pagesa ishte sezonale dhe atë në formë të këmbimit më tepër sesa të transformimit të mallrave në para.

Në Kosovë u rikthye sidomos në vitet 1990-a kur u bë përjashtimi masiv nga puna i shqiptarëve dhe kur 99% e popullsisë shqiptare të Kosovës ishte literalisht e varfër. Nevoja për të pasur para në rast të ndonjë sëmundjeje, a ndonjë urgjence tjetër bënte që ato të mos shpenzoheshin aty për aty por që borxhet të grumbulloheshin si veresi. “Veresi” vjen nga turqishtja dhe do të thotë “jap”. Pra fjala është për atë që do të jepet patjetër, për borxhin që do të kthehet me siguri.

Podujeva në muzg | Foto: KALLXO.com
Podujeva në muzg | Foto: KALLXO.com

Podujeva në qendrën e saj, në shekullin 21, në kohën kur konsumerizmi po lëshon rrënjët në Kosovë edhe në shtresat e varfëra të popullsisë, po përdor forma feudale të sjelljes “ekonomike”. Kjo mund të jetë vetëm pasojë e varfërisë dhe varësisë së familjeve shqiptare nga remitancat të cilat sigurisht janë periodike. Aty këtu edhe nga ndonjë rrogë e vogël që nuk arrin të mbulojë shpenzimet muaj për muaj.

Llapjanët njihen për një të folur melodike, ku grupi i zanoreve “ue” zë vend gati se në fund të çdo fjale. Sidomos e-ja që në rrethe të tjera bie (fjala vjen në Prishtinë, në Dukagjin e zona tjera vjen si shembull “me shku”, “me punu” etj.) tingëllon fort në vesh dhe nga pikëpamja e tyre Llapi është përdorues i flaktë e-jash. Për këtë çështje kanë dalë edhe shaka të tipit “Cilën fjalë llapjoni e thotë me gramatikë?” – përgjigja është fjala “pyet”. Një llapjan/e do të thoshte patjetër “A ban me t’pyet diçka?”.

Më simpatik bëhet shkurtimi i foljes ndihmëse kam kur përdoret në kohën e kryer në mënyrën habitore siç mund të jetë “Adili i ki’ pa’ thanë kusherive t’vet.” Në fakt i gjithë diskursi i llapjanëve është disi në habitore sa herë që flitet për të kaluarën: “I ki’ pa’ ra asajde”, “Ki’ pa’ nisë me lexue” etj. Përjetimi i të kaluarës në habitore shënon njëfarë mungese të vetëvetëdijes për të tashmen. Ata habiten tek tash kur e kujtojnë veprimin sepse atëherë s’e kanë menduar fare. Thjesht kanë shkuar nëpër të pa atë minimumin e pikëpyetjeve që duhet t’i ketë prapa cilido veprim i ndërmarrë.

Një ushtarak në rrugët e Podujevës | Foto: KALLXO.com
Një ushtarak në rrugët e Podujevës | Foto: KALLXO.com

Dilema e ‘unitetit’

E kur është fjala te lufta e fundit, qarkullon një shaka tjetër. Më 1997 teksa tanket po hynin nga Serbia me të cilën kufizohet Podujeva, një plak kishte dalë diku në rrugë e bënte me dorë si për të treguar nga shkohet dhe atyre ushtarëve që qëndronin mbi tanke ju fliste, natyrisht duke mos e ndalur shenjën, “za Drenica” (për në Drenicë). Do me thënë ua tregonte rrugën që plaku mendonte se ata e kërkonin, duke përjashtuar kështu veten dhe vendin ku jetonte sikur që problemi të ishte lokal administrativ e jo shtetëror e kombëtar.

Kjo është një shaka e pakripë që lind pas luftës në një luftë tjetër, atë të bajraktarizmit se kush ka luftuar më shumë e kush e ka çliruar më shumë Kosovën. Por, megjithatë, tregon një të vërtetë. Atë që populli i Kosovës, për arsye nga më të ndryshmet, nuk ishte unik. Unik i kishte bërë ndoshta dhuna e represioni i Serbisë, në njëfarë forme duke i detyruar të bashkoheshin fjala vjen në Bllacë kur u nxorën si refugjatë qindra mijëra, por në luftë, si atë politike ashtu edhe ushtarake (siç tashmë janë në dijeni të gjithë), unitet nuk ka pasur.

Dhe debati fillon

E salla e asamblesë komunale të Podujevës ishte bërë gati. Kryetari Agim Veliu kishte zënë vendin “e rezervuar” për të pranë foltores. Ai u ankua sepse iu duk e padrejtë që kryesuesja provizore Jeta Xharra, si dhe asamblistët kishin për të qenë të ulur ndërkohë që ai do të përgjigjej në këmbë, pranë foltores ku mund të mbështetej. Kryesuesja provizore Xharra, pa dashur të nxehet më tej situata ia ktheu si me shaka: “Na kemi mendu që kryetari [i Podujevës] i rrin popullit n’kamë”. U shkëmbyen disa të qeshura dhe debati ishte gati me fillu.

Salla e asamblesë komunale të Podujevës | Foto: KALLXO.com
Salla e asamblesë komunale të Podujevës | Foto: KALLXO.com

Kryetari si një njeri me përvojë dhe duke e ditur se Podujeva është bastion i LDK-së, nuk i kishte dhënë zor vetes gjatë fushatës zgjedhore dhe për këtë arsye premtimet i ki’ pa’ dhënë shumë jokonkrete.

Një problem që u ngrit nga asamblistët e opozitës ishte problemi i ujërave të zeza. Kryetari kishte premtuar se do ta bënte impiantin, por çështja e impiantit nuk kishte ecur. Në qendër të qytetit, shtrati i lumit duket bukur, por jo fort larg prej qendrës fillojnë mbeturinat dhe ujërat e zeza që derdhen në të. Kryetari shpjegonte se i kishin bërë 25 km kanalizim mirëpo e pranonte se gjendja ishte e rëndë.

Për kryesuesen Xharra ishte e papranueshme që lumi Llap është në këtë gjendje. “E qysh para luftës janë la njerëzit dhe është peshku, ka pasë peshq, e tash edhe zhabat menxi po mbijetojnë?” – e ngriti çështjen kryesuesja provizore. Kryetari filloi me shpjegime se si një pjesë të fajit e kanë qytetarët e komunës të cilët hedhin mbeturina në lum.

Vetëvendosje dhe PDK pajtoheshin si asnjëherë më parë, për atë se kryetari nuk e njeh Podujevën pasi sipas tyre ai kohën më të madhe e kalon me angazhime të partisë në Prishtinë.

Në një moment, një asamblist i VV sapo mori fjalën i uroi kryetarit zgjedhjen e presidentit Hashim Thaçi pasi u arsyetua se nuk kishte pasur mundësi t’ia uronte më herët. Ky ishte një thumbim për kryetarin Veliu duke pasur parasysh pozitën e tij të rëndësishme në LDK dhe kërkesën e tij që deputetët e LDK-së për ta votojnë Thaçin, një nga armiqtë më të mëdhenj të LDK-së dhe simbolit të saj Ibrahim Rugovës.

Po kjo gjë nuk çoi peshë të madhe dhe debati mori kahje tjetër.

Asamblistët e Podujevës bënë disa kritika mbi gjendjen e arsimit dhe nepotizmin në komunë | Foto: KALLXO.com
Asamblistët e Podujevës bënë disa kritika mbi gjendjen e arsimit dhe nepotizmin në komunë | Foto: KALLXO.com

“Po” apo “Jo”?

U përmendën shkolla që funksionojnë në kushte tejet të vështira, fjala është për një shkollë që kishte 400 nxënës dhe vetëm 6 klasa. Por kryetari që dikur ishte vet ministër i arsimit tregoi se si projektet për ndërtimin e shkollave nuk varen vetëm nga ai, por edhe nga ministria përkatëse e cila kishte kapacitetet për ndërtimin e shkollave.

Një çështje tjetër ishte nepotizmi. Opozita akuzonte se djali i drejtorit të financave ishte punësuar në sektorin e arsimit pa konkurs. Për këtë çështje filloi të fliste drejtori i arsimit Avni Maloku po i cili nuk thoshte gjë për akuzën. Dikur, kryesuesja Xharra mori frenat në dorë dhe i shtroi pyetje konkrete drejtorit që endte e qëndiste fjali pa përmbajtje.

Pyetja ishte e qartë: a ka pasë konkurs? Dhe atë e shtruar në formën që u pëlqen llapjanëve duke përdorur foljen “kam” dhe foljen “pata”. Por drejtori vazhdonte. Kryesuesja ndërprente: a ka pasë konkurs? Drejtori Vazhdonte. “A ka pasë konkurs?”. Drejtori qëndroi në heshtje dhe thjesht nuk foli më. Ndoshta përgjigjen e marrim veresi siç është zakon në Podujevë.

Një drejtor që shumë qartë nuk përgjigjet, për më tepër sillet në mënyrë injoruese a thua se po pyetej për ngjyrën e brekëve që mbante veshur e jo për detyrën e tij publike që dyshohej se po e ushtronte kundërligjshëm.

Ndonjëherë me pyet bëhet vështirë, se atij që ia ke shtruar pyetjen të sheh si buallica në pus, ndërkohë që dyshohet se ai ki’ pa’ punsue njerëz pa konkurs.