Kryetari i Graçanicës Vladeta Kostiq thotë se monitoron çdo cent që shpenzohet nga fondet publike | Foto: Atdhe Mulla

Graçanica me Dron 'Mbron' Kosovën?

Graçanica është pak kilometra nga qendra e Prishtinës. Megjithatë, atje paguhet me dinarë të Serbisë, ndërkohë që nëpër të kalon rruga kyçe që lidh pjesën tjetër të Kosovës me Anamoravën.

Në mes të qytetit ndodhet manastiri mesjetar ortodoks. Si çdo manastir tjetër ortodoks duket i magjishëm nga brenda. Jo shumë dritë depërton në kishë, vetëm aq sa për t’i parë afresket që paraqesin shenjtorët e apostujt, çka i jep një pamje misterioze.

Në përgjithësi qyteti nuk është se ka shumë ndërtime. Shtëpi të vogla njëkatëshe me oborre të mirëmbajtura të qytetarëve serbë, që dallohen nga shtëpitë disakatëshe të pafasaduara të qytetarëve shqiptarë.

Brenda në komunë njerëzit enden nëpër korridore akëcili duke kryer ndonjë punë. Pasi takuam kryetarin Vladeta Kostiq, u njoftuam për disa gjëra me rëndësi. Nga 62 punëtorë sa ka komuna 12% janë shqiptarë.

Po ashtu, kryetari Kostiq na tregoi për një kërkesë të tij që i paskësh dërguar institucioneve qendrore ku kërkonte riregjistrim të popullsisë, pasi sipas tij, nga bojkoti që serbët i kishin bërë regjistrimit, gjë me të cilën kryetari Kostiq nuk ishte pajtuar, numri i qytetarëve të Graçanicës konsiderohet rreth 10,000 ndërkohë që ka rreth 19,000 votues.

Kryetari dhe stafi i tij konsiderojë se Graçanica duhet t’i ketë diku 25,000 qytetarë. Diferenca në numra është e rëndësishme, sepse sa më shumë banorë ka një komunë, aq më shumë fonde i ndahen nga buxheti qendror i Kosovës.

Kostiq vjen nga formacioni politik Gradjanska Iniciativa Srpska që është e lidhur me Lista Srpska, dhe na tregoi se si ishte rritur me shqiptarët. Madje ai tha se është diplomuar te Nexhat Daci dhe me profesion ishte kimist. Dukej sikur vërtet kishte mundësi bashkëjetese mes shqiptarëve e serbëve. Edhe më mirë, nënkryetarin e komunës Graçanica e ka të komunitetit rom.

Nga debati në asamblenë komunale të Graçanicës | Foto: Atdhe Mulla
Nga debati në asamblenë komunale të Graçanicës | Foto: Atdhe Mulla

Debati ishte gati të fillonte. Kryesuesja provizore Sanja Sovërliq kishte zënë vendin e saj, ndërkohë që kryetari ishte pozicionuar në foltoren e asamblesë komunale.

Fakti se nuk kishte opozitë bënte që debati të mos merrte hov e të vërshonte siç di të shpërthejë nëpër asambletë komunale. Këtu, si të thuash, kryetari më shumë bënte njëfarë monologu ku sqaronte gjerë e gjatë pyetjet sesa që u përgjigjej replikave të vështira nga salla.

Ai tha se deri në kohën që po fliste buxheti ishte i vitit 2014. Përmendi problemin me buxhetin pasi siç na kishte bërë me dije më parë, për shkak të numrit joreal të qytetarëve të regjistruar, buxheti i Graçanicës ishte gjysma e asaj që do të duhej ta kishte në fakt.

Sa i përket ujësjellësit ai tha se kjo çështje është në punë e sipër. E kur ishim te uji, kryetari Vladetë, do të mund të quhej këshilltar i mirë për kryetarët e qyteteve tjera me lumenj.

Në përmbytjet e fundit, që tashmë janë bërë përvjetore, Graçanica nuk ka pasur asnjë problem për dallim prej herëve të tjera. Kryetari Kostiq tha se pasi kompania që bën këtë punë kishte sjellë një faturë diçka më shumë se 1 milion, natyrisht sipas kontratës me të gjitha matjet formale, ai kishte kërkuar që për këtë punë të blihej një dron.

Jo për t’i vënë atij flamuj e goblenë me qëllim që t’i inatosë të tjerët, por që ta kryente një punë të rëndësishme verifikimi. Pasi ishin fotografuar të gjitha pjesët e lumit dhe pasi janë bërë edhe matjet me harta, kryetari Kostiq e ka kthyer mbrapsht faturën e i ka shpëtuar komunës së tij 500,000 euro.

Dhe nuk do të përfundojë me kaq. Ai ka themeluar një komision që do ta bëjë edhe vlerësimin nga terreni me qëllim që shtrati i lumit të pastrohet në tërësi dhe që faturat e fryra në komunën e Graçanicës të mos pinë ujë ashtu që ai të kursejë edhe më buxhetin e komunës së tij.

Asamblistë të Komunës së Graçanicës | Foto: Atdhe Mulla
Asamblistë të Komunës së Graçanicës dëgjojnë në heshtje diskutimin e kryetarit | Foto: Atdhe Mulla

Është për keqardhje të mendosh se dikush i afërt me Vuçiqin që nuk e pranon Kosovën, madje e lufton aktivisht shtetësinë e saj, e mbron paranë publike të saj e mundohet ta forcojë praktikën institucionale më shumë se ç’bën Presidenti i thjeshtë i ne heronjve të Republikës, a Kryeministri baba i devotshëm i djemve të tij.

Droni mund të përdoret edhe për gjëra të dobishme, madje edhe në mbrojtje të Republikës. Se fundja, Republika nuk mbrohet vetëm duke bërtitur sa lartë poshtë e duke valëvitur flamuj, ajo mbrohet edhe kur ruhen paratë publike, kur ato shfrytëzohen mirë, kur ato i shkojnë publikut në vend të privatit. Apo harrojmë se res publica do të thotë çështje publike?

Kryetari Kostiq vazhdoi të tregonte se si rrugët që shtroheshin merrnin më shumë kohë pasi ai kërkonte që akëcila rrugë ta ketë kanalin e drenimit, me qëllim që uji të kullohet e të mos e shkatërrojë rrugën siç ndodh rëndom kudo nëpër Kosovë.

Ai u pyet për investime në shëndetësi të cilat, siç na sqaroi, vareshin nga Ministria e Shëndetësisë e po ashtu premtoi se do t’i çlironte 47 banesat e uzurpuara.

Kësisoj debatit iu afrua fundi. Shiu që kishte filluar të binte kishte krijuar njëfarë paniku të paarsyeshëm te njerëzit që shpejtonin nën strehë. A thua se pikat e ujit shkaktojnë dëme të pariparueshme se jo më pak lagështirë që thahet shpejt tash që kemi dalë nga dimri.

Një gjë ishte e qartë për ne që dilnim nga salla e debatit: në Graçanicë shiu mund të lagte gjithçka, por për të përmbytur nuk do të përmbyste dot.