Prishtina Bëhet me Ekspozitë të Përhershme për Krimet e Luftës

Komuna e Prishtinës nënshkroi të enjten Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë dhe Fondin për të Drejtën Humanitare me të cilën parashihet që në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” të bëhet arkivimi i materialeve që dëshmojnë për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1990.

Ndër materialet e arkivuara do të ketë audio-incizime, video-incizime si dhe materiale të tjera të shtypura edhe nga proceset gjyqësore në Hagë.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet dhe drejtori i zyrës në Kosovë të Fondit për Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj.

Kjo ekspozitë do të jetë e qasshme për të gjithë ata që janë të interesuar të dinë më shumë detaje për krimet e luftës në Kosovë ndërsa ideja për një ekspozitë të tillë ka qenë e iniciuar vite më parë nga ish drejtorja e Kulturës në komunën e Prishtinës, Saranda Bugujevci.