Presidenti Thaçi ia dorëzon flamurin e Kosovës "Ambasadores së Nderit", Majlinda Kelmendit - Foto: KALLXO.com

Presidenti ua Dorëzon Flamurin Olimpistëve

Në një ceremoni solemne, presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar flamurin shtetëror ekipit olimpik të Kosovës, i cili do ta përfaqësojë shtetin në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit.

Ceremonia është organizuar në amfiteatrin e Gërmisë në prani të qindra personave, në mesin e tyre edhe ministra, si dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Në një fjalë rasti, Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se kjo është një ditë që e ka pritur gjatë.

Ai falenderoi çdo individ që ka kontribuar në rrugëtimin e Kosovës, rrugëtim që sipas tij nuk ka qenë i lehtë.

“Kosova po shkon në Lojërat Olimpike si kampione, me 8 sportistë. Ne po dërgojmë në Rio kampionë të vërtetë. Çdo rezultat për ne është fitore olimpike”, tha Hasani duke shtuar se Kosova është tokë e talentëve në shumë sporte.

Lojerat Olimpike 001
Foto: KALLXO.com
Lojerat Olimpike 002
Foto: KALLXO.com

Ndërsa, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka dekoruar olimpistët me “Medalje të meritave”, ndërsa Majlinda Kelmendit iu dha titulli “Ambasadore e nderit”.

“Pas shpalljes së pavarësisë sonë qëllimi jonë kryesor nuk ishte vetëm njohja e shtetit por edhe ndërkombëtarizimi i sportit”, tha presidenti, duke shtuar se vetë prezentimi i ekipit në Lojërat Olimpike është fitorja e parë olimpike për ne.

“Ju sportistët jeni ambasadorët më të mirë të vendit. Ju falenderoj për realizimin e ëndrrës së përbashkët. Do të jemi bashkë në Rio me flamurin e Kosovës”, tha presidenti.

Më pas presidenti ia ka dorëzuar simbolikisht Flamurin e Republikës së Kosovës, Majlinda Kelmendit.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla
Lojerat Olimpike
Foto: Atdhe Mulla
Lojerat Olimpike
Foto: Atdhe Mulla

Në Lojërat Olimpike Kosovën do ta përfaqësojnë Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova (xhudiste), Urata Rama (shenjtare), Vijona Kryeziu (atlete), Lum Zhaveli (notar), Rita Zeqiri (notare), Musa Hajdari (atlet), Qëndrim Guri (çiklist), dhe dy trajnerët, Driton Kuka dhe Enver Hajredini.

Portrete: Olimpistët Kosovarë në ‘RIO 2016’