Në Pejë të Dielën Vrapim për Bamirësi

Protagonistet e këtij organizimi në konferencë për media thanë së janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e vrapimit më 8 maj në Pejë.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri tha se një aktivitet i tillë është mirë të bëhet tradicional.

“Do të jenë pjesëmarrës nga shkollat e mesme, shoqëria civile dhe kontingjenti ndërkombëtar që gjendet në Komunën e Pejës. Besoj që do jetë një nismë e mbarë për me mbajt edhe gara tjera në këtë datë,” tha Muhaxheri.

Vrapimi do të jetë i gjatë 4 kilometra, ndërsa do të vrapohet nga qendra e qytetit deri te rrethrrotullimi në magjistralen për Deçan dhe anasjelltas.

Komandanti i Stacionit Policor në Pejë Ndue Nikolla tha se policia është përgatitur që të sigurojë mbarëvajtjen e garës.

“Policia e ka hartuar me kohë planin operativ, i ka marrë të gjitha masat e sigurisë. Rruga të cilën do të përshkojnë vrapuesit do të jetë e lirë për vrapues, kurse komunikacioni do të orientohet në rrugët alternative,” tha  Nikolla.

Njëri nga organizatorët, Salvadore Aleksander Sarcia nga Grupi Shumëkombësh i Perëndimit në KFOR tha se vrapimi është edhe i shëndeteshëm.

“Kjo ngjarje parashikon edhe një fond bamirësie që pastaj do të menaxhohet nga KFOR-i në Prishtinë,” tha ushtaraku i KFOR-it italian.

Vrapimi pritet të nisë në orën 10 e 30.