Kryeministri Mustafa në konferencën e fundvitit | Foto: KALLXO.com

Mustafa: E Pakuptimtë Ngrirja dhe Shkrirja e Listës Serbe

Kryeministri Mustafa pasi paraqiti punën e kryer të qeverisë që drejton gjatë këtij viti, foli edhe për atë që e quajti “ngrirje dhe shkrirje të Listës Serbe”

“Mendoj që shkrirja dhe ngrirja e Listës Serbe është e pakuptimte dhe nuk është në interes të tyre,” tha Mustafa, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Lista Serbe sot me anë të një komunikate njoftoi ngrirjen e punës së përfaqësuesve të saj në Kuvend e Qeveri të Kosovës, pas takimeve që zyrtarë të saj kishin në Beograd me përfaqësues të Qeve ris ës Serbisë.

http://kallxo.com/lista-serbe-ngrijme-pjesemarrjen-ne-institucione/

Në Beograd Kryeministri Vuçiq kërkoi që deri më 31 dhjetor të kthehet në pozitën e tij ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq, që u shkarkua nga Mustafa më 16 dhjetor.

Mustafa teksa paraqiti rezultatet e punës së qeverisë së tij këtë vit, foli edhe për këtë ultimatum të ardhur nga Serbia.

“Ne nuk do te pajtohemi në asnjë rast që këtu të përfaqësohen interesat e një shteti tjetër. Do t’ia bëjmë edhe një herë me dije BE-së që kemi të bëjmë me një qeveri e me një shtet që nuk po zbaton marrëveshjet dhe që nuk është i interesuar në stabilizimin e marrëdhënieve,” tha Mustafa.

Mustafa shpjegoi se vendimi për shkarkimin e Mariqit është i pakthyeshëm.

“Z Mariq është shkarkuar si ministër dhe shkarkimi i tij për këtë mandat është i përhershëm dhe nuk e ka merituar të jetë anëtar i qeverisë,” tha Mustafa.

Megjithatë, Kryeministri e pranoi se ende ka probleme në veri.

“Nuk do ta vajtojmë por ta pranojmë ni fakt që akoma kemi probleme në veri të vendit. Mund të krekosemi me lloj-lloj qëndrimi a kërcënimi por unë nuk kam as natyrë të tillë,” tha Mustafa.

Mustafa foli edhe për ratifikimin e demarkacionit që tha se duhet të bëhet pasi po e bllokon lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Ai deklaroi se do të bëhet një komision për riklasifikimin e listave të veteranëve, pasi buxheti prej 50 milionësh i ndarë për ta është i pamjaftueshëm.

Mustafa para se të fliste për këto çështje, suksese të qeverisjes së tij këtë vit i konsideroi hyrjen në fuqi të MSA-së, marrjen e kodit telefonik, rritjen e pensioneve, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ai deklaroi se sivjet qeveria pret që të jenë punësuar 30 mijë persona.