Takimi mes ministrit Bedri Hamza dhe zv.drejtorit menaxhues të FMN-së, Tao Zhang, Foto: MF

Ministria e Financave: FMN përgëzon Kosovën për stabilitet financiar

Ministri i Financave Bedri Hamza në kuadër të takimeve pranverore në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u takua me zv.drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

Me këtë rast, ministri Hamza e njoftoi Zhang për progresin të cilin e ka arritur Kosova në  zhvillimit e saj, me theks të veçantë në fushën e financave, dhe gjithashtu shprehi respektin dhe falënderimin për mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar ndër vite që  i ka dhënë Kosovës.

Ministri Hamza gjithashtu e njoftoi Zhang dhe stafin e tij  për trendin e mirë të të hyrave buxhetore në total që po realizohen në buxhetin e Kosovës, trendin e shpenzimeve, si dhe stabilitetin makro fiskale në përgjithësi.

Ai gjithashtu u shpreh se falë raporteve të shkëlqyera me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të vazhdojë edhe në të ardhmen bashkëpunimi i sinqertë dhe transparent të konsultimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar për çdo ligj apo vendim i  cili do të sjellet nga Ministria e Financave.

Ndërsa, zv.drejtori Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, falënderoi ministrin Bedri Hamza për vizitën në Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe e përgëzoi atë për trendet pozitive të zhvilluara në fushën financave, të cilat po ndodhin në Kosovë.

Ai gjithashtu u shpreh se Kosova ka arritur falë punës profesionale dhe transparente të Ministrisë së Financave të ketë stabilitet të plotë Makro Fiskal përkundër shumë kërkesave buxhetore dhe në të njëjtën kohë duke ndihmuar sektorin privat në  zhvillim të tij përmes politikave fiskale. Sipas tij është një arritur e madhe që pa qenë në program me FMN është arritur nga vetë kosovarët.

Zhang gjithashtu u shpreh i lumtur që Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vazhdoj mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke vlerësuar bashkëpunimin  e shkëlqyeshëm me Kosovën në këtë rast me Ministrin e Financave.

Në këtë takim gjithashtu ministri, Bedri Hamza dhe zv.drejtori Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, u pajtuan që këtë vit Ekipi i Misionit të FMN-së ta vizitojë Kosovën, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.