Pamje nga mbledhja e sotme e Këshillit Prokurorial – Foto: KALLXO.com

KPK e Refuzon Marrëveshjen Mes Prokurorëve për Transferim

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka refuzuar marrëveshjen e prokurorëve Fikrije Sylejmani dhe Arian Xhema që ta zëvendësojnë njëri-tjetrin në prokuroritë e qyteteve prej nga vijnë.

Sipas “marrëveshjes së brendshme”, prokurorja Sylejmani, që vjen nga Mitrovica, por punon në Prokurorinë e Prishtinës, do të ndërronte vendin e punës me kolegun e saj nga Prishtina, i cili punon në Prokurorinë e Mitrovicës.

Kundër kësaj kërkese, e cila u fut në rend dite pas propozimit të anëtarit të KPK, Arben Ismajli, votuan 9 anëtarë të Këshillit Prokurorial dhe vetëm një ishte për.

Anëtarët e KPK-së thanë se kjo nuk është ecuri sipas procedurës sepse kërkesa për transferim i drejtohet së pari Komisionit për Transferim, i cili i shqyrton kërkesat për transferimin e prokurorëve e më pas ia dërgon KPK-së për miratim.

Bahri Hyseni insistoi që procedura e transferimit të kryhet përmes rregullave që i përcakton rregullorja e Këshillit Prokurorial.

“Tranferimi i prokurorëve duhet të bëhet me procedurë. Ne e kemi një rregullore në Këshill, një rregullore që e kemi aprovuar vetë dhe duhet ta respektojmë. Ajo rregullore parasheh komision. Komisioni duhet mbajë mbledhje për këtë çështje”, tha Hyseni.

Ndërsa përveç refuzimit të kësaj kërkese në mbledhjen e sotme është aprovuar Raporti kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike, i prezantuar nga Shqipdon Fazliu dhe është diskutuar edhe Memorandumi i bashkëpunimit me  USAID-in duke e rekomanduar nisjen e procedurave për caktimin 7 zyrtarëve për referimin e rasteve për ndërmjetësim në prokuroritë themelore të Kosovës.