Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Komuna mohon se kryetari Lladrovci ndikoi në përzgjedhjen e restorantit për mbrëmjen e maturës

Maturantët e Gjimnazit “Skënderbeu” të Drenasit më 19 maj do ta mbajnë mbrëmjen e maturës.

Por, përzgjedhja e restorantit ka krijuar pakënaqësi.

Muhamet Sinani, familjar i pronarit të restorantit “Nobel”, i cili kishte konkurruar por nuk ishte përzgjedhur, pretendon se eliminimi i tij është bërë për arsye politike.

Sipas tij, për shkak se një familjar i tyre është asamblist nga radhët e Nismës Socialdemokrate kjo e ka shtyrë kryetarin e Komunës, Ramiz Lladrovci të ndërhyjë në përzgjedhje.

Po ashtu, Sinani pretendon se në mënyrë tinëzare është ndërruar oferta/çmimi i kompanisë fituese.

“Problemi është që Komuna i çon atje se familjari i joni është asamblist në Komunën e Drenasit i Nismës Socialdemokrate, Arigon Sinani. Kjo është për inate politike “, tha Sinani.

KALLXO.com ka intervistuar Valdet Istogun, drejtor i Gjimnazit “Skënderbeu”.

Istogu tha se të gjitha procedurat e udhëzimit administrativ të lëshuar nga Ministria e Arsimit i kanë ndjekur.

Sipas tij më 23 prill 2018 deri më 4 maj 2018 është nxjerrë shpallja për ofertim për mbrëmjen e maturës.

“Gjatë kësaj periudhe në shkollën tonë kanë ofertu 4 operatorë ekonomikë: “Nobel”, “Hajdini Palace”, “Ana Benz” dhe “Fabend”. Organizimin e mbrëmjes e ka kompetencë shkolla, është përgjegjësi totale e drejtorisë së shkollës”, tha Istogu.

Sipas drejtorit Istogu ka pasur ankesa të mëdha nga “Nobel” se gjatë kësaj periudhe ka pasur shkelje dhe ndërhyrje politike por siguroi se asnjëra nga këto nuk qëndrojnë.

“Prej pronarit të restorantit ‘Nobel’ se gjatë kësaj periudhe janë bërë shkelje ka pasë ndërhyrje politike, unë po e them me plot bindje që kjo është totalisht e pasaktë. Po ua dëshmoj me plot argumente që nuk është kështu. Ky operator ekonomik i ka bindjet e veta politike. Shkolla është institucion jopolitik, jopartiak dhe çdo organizim politik brenda shkollës është ndaluar”, tha Istogu.

para kamerës ka treguar edhe ofertat e 4 operatorëve konkurrues.

Istogu tha se më 14 maj 2018 drejtoria së bashku me tre anëtarët e ka bërë hapjen e ofertave.

“’Nobel’ ka ofertu me çmim për meny dhe pije 12 euro. ‘Hajdini Palace’ ka ofertu me 11.50 euro, ‘Ana Princesha’ ka ofertu me 12 euro ndërsa ‘Fabend’ me 12.50 euro së bashku me këngëtar. Por ky operator është eleminu se nuk ka pasë hapësirën e mjaftueshme për m’i pritë numrin e maturantëve dhe stafit të shkollës.”, tha Istogu.

Fitues në këtë konkurs sipas tij është “Hajdini Palace”, ku maturantët do ta mbajnë mbrëmjen e maturës më 19 maj.

KALLXO.com ka vizituar edhe Komunën e Drenasit.

Zëdhënësi i kësaj Komune Bekim Dobra nuk ka dashur të flasë para kamerës por ka kthyer përgjigje përmes emailit.

Ai tha se Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, fillimisht ka kërkuar nga drejtorët e shkollave që për organizmin e mbrëmjes së maturës të ndjekin procedurat ligjore.

Sipas tij, përzgjedhja e vendit për mbajtjen e maturës është bërë sipas kritereve të caktuara nga Këshillit Drejtues i Shkollave.

Ndërkaq, sa i përket ndërhyrjeve politike ai tha se kjo nuk qëndron pas sipas tij përzgjedhja është bërë nga komisioni përcaktues.

“Sa i përket supozimeve për ndërhyrje nga Kryetari i Komunës dhe Drejtori i Arsimit në përzgjedhjen e vendit, nuk qëndron, sepse përzgjedhja është bërë nga Komisioni përcaktues i formues nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Kryetari vetëm dje pas orës 15:30 e ka kuptuar se kush është përzgjedhë nga Këshilli Organizativ”, ka përfunduar Dobra.

17 Maj 2018 - 20:47

Amire Qamili 17/05/2018 - 20:47
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend