Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, - Foto: KALLXO.com

KOMF: Kosova Nuk po i Mbron Fëmijët që Punojnë në Rrugë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) kanë vlerësuar se Kosova nuk po e trajton çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmerr iniciativa për të mbrojtur këta fëmijë.

“Sa i përket fëmijëve që punojnë në rrugë apo kërkojnë lëmoshë, legjislacioni në fuqi nuk përcakton ndonjë shërbim të veçantë që shteti duhet të ofrojë për fëmijët që punojnë në rrugë; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, strehimoret, shërbimet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe ri-integrimit”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.

Sipas këtij rrjeti të organizatave, fëmijët që punojnë në rrugë apo kërkojnë lëmoshë janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim.

“Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën e tyre. Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të ulëta. Fëmijët kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke e vënë veten përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit”, thuhet në komunikatën e KOMF-it.

Kjo organizatë ka rekomanduar që Kosova të përfshijë standardet financiare në kuadër të kornizës ligjore për të siguruar buxhetin dhe zbatimin e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve që punojnë në rrugë dhe të krijojë  ekipe mobile për identifikimin e këtyre fëmijëve.

KOMF po ashtu ka kërkuar që Kosova të krijojë një grant specifik për shërbimet sociale për komunat dhe qendrat për punë sociale për të krijuar shërbime cilësore për fëmijët që punojnë në rrugë.