Kapet Hajni që Vodhi Ar në Banesën e Kryetarit të Gjykatës

Lajmin për këtë grabitje për KALLXO.com e konfirmoi vetë kryegjykatësi Shala.

“Hajni ka qëndruar brenda për 31 minuta. Nuk e ka ditur se i gjithë vendi është i monitoruar nga kamerat”, tha ai.

Po ashtu, kryetari i Gjykatës së Gjilanit tregoi se bashkëshortes së tij i është vjedhur një sasi e arit të martesës.

Në një komunikim për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani, bëri të ditur se personi i dyshuar është arrestuar në Prishtinë disa ditë më parë.

Më pas, ai është dërguar në stacion policor, me ç‘ rast edhe janë gjetur dëshmitë se i njëjti është kryerësi i veprës.

Personi i dyshuar është shtetas i Republikës së Kosovës, i lindur në vitin 1977.

Po ashtu, Hashani bëri të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar edhe tri kartela me të cilat dyshohet se janë hapur dyert e banesave.

Hashani tregoi se rasti ishte paraqitur nga një grua, e që më pas, kryetari Shala bëri të ditur se kishte qenë bashkëshortja e tij.

Nga video- incizimet e marra nga blloku banesor ku jeton kryetari Shala, Policia e Gjilanit ka arritur që të zbardhë edhe tre raste të tjera të kësaj natyre.

“Kanë siguruar edhe raste të tjera nga kamerat tona, siç është vjedhja që i ishte bërë një avokatit”, shtoi Shala.

Rasti po hetohet nga njësiti policor i Gjilanit.

Kryegjykatësi Shala nuk është i vetmi nga organet e drejtësisë që i është grabitur shtëpia.

Në nëntor të vitit të kaluar, edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ishte cak i hajnave.

Prej atëherë, të dyshuarit janë arrestuar dhe kanë dalë para gjyqit.

http://kallxo.com/leutrim-kaqiu-pranon-fajesine-per-vjedhje-ne-shtepine-e-kryeprokurorit/