Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencë | Foto: Petrit Rrahmani

Shtëpia e Aleksandër Lumezit në Shënjestër të Hajnave

14:55

I plotësuar

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, konfirmoi për KALLXO.com se shtëpia e Lumezit ka qenë cak i hajnave në mëngjesin e së martës.

“Konfirmoj se shtëpia e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, nga persona te panjohur, te cilët kanë vjedhur disa gjera ne shtëpi. Tani, Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin në fjalë”, tha Kozmaqi.

—-

Sot rreth orës 4 të mëngjesit policia ka marrë ankesë nga ankuesja B. L femër shtetase e Kosovës se në rrugën “Xhevat Qena” në Prishtinë, në një shtëpi private, ka ndodhur një rast vjedhje.

Policia thotë se menjëherë pas marrjes së informatës njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit personit apo personave të dyshuar si dhe ndriçimit të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin.

KALLXO.com ka mësuar se shtëpia e cila ka qenë në shënjestër të hajnave është pronë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

KALLXO.com ka kontaktuar Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, përmes telefonit, por asistenti i tij nuk ka pranuar të komentojë duke thënë se për këtë çështje duhet të pritet deklarata e Policisë.

KALLXO.com ka provuar disa herë të kontaktojë me zëdhënësen e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, por ajo nuk është përgjigjur.