Ish- Polici i Akuzuar për Vrasje Kërkon ta Mbrojë Avokati i Arrestuar

Mungesa e avokatit Haxhi Çekaj që u arrestua dje gjatë pauzës së seancës ka bërë që edhe sot të shtyhet shqyrtimi gjyqësor ndaj të rreshterit policor Shefqet Kameraj i akuzuar për vrasjen e Ilmi Lufajt.

Kryetari i trupit gjykues në ketë rast, Kreshnik Radoniqi, tha se seanca duhet të shtyhet për shkak të mungesës së avokatit të arrestuar dje.

Radoniqi tha se njoftimin për arrestimin re avokatit të arrestuar për mashtrim, e ka marrë përmes mediave.

Nga ana tjetër, avokati Çekaj sot pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për t’ia caktuar masën e sigurisë.

Ndërsa të akuzuarit Kamberaj, gjykata i dha 8 ditë afat që ose ta ndërrojë avokatin ose t’i caktohet një tjetër sipas detyrës zyrtare.  Po ashtu trupi gjykues tha se brenda këtyre tetë ditëve do njoftohen edhe për procedurat që do ndërmerren ndaj avokatit të arrestuar, Haxhi Çekaj.

“Ju jap afat 8 ditë për me njoftu për avokatin e ri, ose merret vesh diçka që ka të bëjë me rastin e avokatit Haxhi Çekaj”, tha Radoniqi.

Radoniqi njoftoi të akuzuarin se shkresat e lëndës së tij që kanë qenë mbi tavolinën e avokatit Çekaj janë vendosur në kasafortë dhe po mbahen në vend të sigurt.

Nëse angazhon avokat të ri, këto shkresa do t’i barten atij.

Por, ish rreshteri policor, Shefqet Kameraj tha se avokati Çekaj ka qenë në rrjedha të lëndës së tij nga fillimi dhe kërkon që ai ta mbrojë sërish.  Ai tha po të ishte “si do duhej”  institucioni ku kishte punuar do i angazhonte avokat mbrojtës, duke aluduar në Policinë e Kosovës.

“Avokat e kam pasur prej ditës së parë (Haxhi Çekajn) edhe ky ka qenë në rrjedha. Unë qëndroj pranë tij dhe kërkoj që ai deri në fund me kry mbrojtjen time. Për avokat të shtetit, shteti me pas qenë i interesuar edhe institucioni prej nga vij une, e kanë pas si obligim me ma siguru avokatin. Unë nuk i kam edhe kushtet me ndërru avokat. Unë qëndroj edhe kërkoj që mbrojtësi im me kry deri në fund”, tha Kameraj.

Por ai tha se do ta ndërrojë avokatin vetëm nëse Çekaj suspendohet nga ana e Odës së Avokatëve.

I akuzuari shprehu dyshime lidhur me arrestimin e avokatit të tij gjatë dje pauzës së gjykimit.

Trupi gjykues njoftoi se situata është e paqartë dhe nuk e di së çfarë do ndodhë ditëve në vijim rreth rastit të avokatit Çekaj.

Sot gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte paraparë të lëshoheshin video incizimet përmes projektorit si dhe të dëgjohej dëshmia e zyrtarit policor Abedin Çeku.

KALLXO.com raporti dje për arrestimin e avokatit Haxhi Çekaj gjatë pauzës së seancës ku po mbahej shqyrtimi gjyqësor për vrasjen e Ilmi Lufajt nga i akuzuari Shefqet Kameraj.

http://kallxo.com/avokati-haxhi-cekaj-arrestohet-gjate-pauzes-se-seances/

Para pauzës së gjykimit të djeshëm në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan Besfort Elshani dhe polici Tahir Mazrekaj.

http://kallxo.com/vrasja-e-ilmi-lufajt-deshmojne-polici-dhe-shoku-i-viktimes/

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për ketë rast. Shkrimet mund t’i gjeni në ketë link.