Osmani pret në takim kryetarin e KQZ-së, flasin për zgjedhjet në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Sipas komunikatës së Presidencës, në takim u diskutua për përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues.

“Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Katër komunat veriore kanë dorëzuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviq, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani fituan zgjedhjet e mbajtura më 23 prill të vitit të kaluar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potoku 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, i paraparë në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të plotësohen kushtet për inicimin e largimit të kryetarëve të komunave.

Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe, ndërsa  Zgjedhja në krye të komunave e kandidatëve shqiptarë pasoi me tensione në veri.