Foto: Tomas Szunyog, X

Shefi i BE-së në Kosovë takon kryetarin e KQZ-së, flasin për peticionin në katër komunat në veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog është takuar sot me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radoniqi.

Szunyog ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për procesin e shkarkimit të kryetarëve në komunat në veri të Kosovës.

“Diskutuam për procesin e tërheqjes së kryetarëve në komunat veriore me kryesuesin e KQZ-së. Derisa e përgëzova për përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesave të Grupeve Nismëtare, u interesova për hapat e ardhshëm dhe përgatitjet e brendshme të KQZ-së për votimin e tërheqjes nëse kalohet pragu 20 përqind”- ka shkruar Szunyog në rrjetin social “X”.

Qytetarët e 4 komunave në veri përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Më 19 janar 2024, në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq.

Ndërsa, peticioni i nënshkruar për inicimin e shkarkimit të kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është dorëzuar dje në Komunë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potok 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Javën e kaluar ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga veriu i vendit për procesin e nënshkrimit të peticioneve.