Deklarimi i Avdullah Hotit | Foto: KALLXO.com

Hoti fton Deputetët e VV ta Votojnë Demarkacionin

Pasi që Kuvendi i Kosovës shkoi në pauzë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë para mediave se sot është ditë e veçantë pasi që i kemi edhe miqtë e Komisionit Europian në Prishtinë.

Hoti tha se ata janë këtu për të biseduar me në për perspektivën europiane të Kosovës.

Tutje Hoti ftoi Lëvizjen Vetëvendosje ta votojë marrëveshjen e demarkacionit.

“Unë ftoj VV-në të bashkohet ne këtë kauzë dhe të përmbyllim këtë çështje edhe të bëhet liberalizimi i vizave”, tha Hoti.

Kuvendi shkoi në pauzë të pacaktuar, pasi Komisioni për Punë të Jashtme është tërhequr për ta ndryshuar Projektligjin mbi marrëveshjen e arritur në mes koalicionit qeverisës dhe LDK-së i cili u lexua edhe në seancën e sotme nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.

Në Projektligjin me ndryshime është përfshirë marrëveshja e gushtit në vitin 2015 mes Kosovës dhe Malit të Zi, marrëveshja e dy presidentëve Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe raporti i Komisionit Shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi që ka karakter orientues./21Media