Pamje nga takimi i sotëm mes kryeministrit Haradinaj dhe banorëve të Hades Foto ZKM

Haradinaj Siguron Banorët e Hades dhe Shipitullës për Shpronësimet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar edhe sot përfaqësues të banorëve të fshatit Hade të Obiliqit.

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Haradinaj edhe sot i ka siguruar banorët e Hades se procesi i shpronësimeve dhe kompensimit në Shipitullë dhe Hade do të përmbyllet me sukses të plotë.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e banorëve të Hades e kanë përgëzuar kryeministrin për rëndësinë që po i jep këtij procesi të interesit të përgjithshëm.

Një muaj më parë, kryeministri Haradinaj kishte arritur marrëveshje me banorët e këtyre dy fshatrave, të prekura nga mihjet e KEK-ut.

Sipas marrëveshjes, zgjidhja konsistonte në aplikimin e modelit dhe praktikës së mëhershme në rastin e fshatit Hade.

Disa ditë para marrëveshjes banorët e Shipitullës po protestonin duke u përpjekur të pengonin punën e ekskavatorëve të KEK-ut, të cilët sipas tyre kishin hyrë, kundërligjshëm, në zonën që i rrezikon ata dhe familjet e tyre.

Sipas banorëve që ende jetojnë pranë mihjes sipërfaqësore të thëngjillit, këta ekskavatorë nxorën thëngjill në zonën 120 metra larg shtëpive, ndërsa sipas tyre, ata duhet të punojnë në zonën e sigurisë prej 250 metrash.

Protesta kishte të bënte edhe me shpronësimin e pronave të këtyre banorëve për shfrytëzimin e thëngjillit nën shtëpitë e tyre dhe në zonën përreth.

Më 30 gusht Qeveria në detyrë miratoi shpronësimin e 17 pronave të Shipitullës.