Takimi i kryeministrave | Foto: ZKM

Hahn Kërkon Formim Urgjent të Qeverisë

Komisionari i BE-së për Zgjerim Johannes Hahn, i pranishëm në takimin e sotëm të kryeministrave të gjashtë shteteve ballkanike në Durrës, kërkoi që Kosova shumë shpejt të formojë qeverinë.

Në një deklarim në Twitter të shoqëruar me një fotografi ku shihej me kryeministrin kosovar në detyrë Isa Mustafa, Hahn shkroi “Urgjentisht të formohet qeveri proeuropiane, e qëndrueshme dhe reformatore në Kosovë”.

Që nga zgjedhjet e 11 qershorit ende nuk janë krijuar institucionet kosovare të dala nga vota e qytetarëve.

Hahn gjatë ditës në samitin e kryeministrave ballkanikë që u zhvillua në vilat qeveritare  shqiptare, doli edhe në një konferencë të përbashkët me Edi Ramën, në të cilën u shfaq mjaft optimist.