Gjyqtari i EULEX-it Thotë Se Nuk i Mori 300 Mijë Euro Ryshfet

Ish shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Françesko Florit, duke iu përgjigjur pretendimeve ndaj tij të prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, se gjoja ai kishte takime me ndërmjetësit e palëve të akuzuara në disa raste gjyqësore, nuk e ka mohuar të ketë pasur takime të tilla.

“Ai (ndërmjetësi) erdhi 5 ose 6 herë ndoshta … Ai u paraqit si profesor i juridikut dhe donte që të kishte bashkëpunim me EULEX-in. Të kishte disa leksione nga gjyqtarët e EULEX-it dhe nga unë personalisht”, tha gjyqtari Françesko Florit në një intervistë për “Jeta në Kosovë”.

Ai thotë se takimet që i ka pasur në zyrën e tij, asnjëherë nuk i ka bërë në katër sy, por se me të ishte edhe dikush nga ekipi i tij.

“Ai kurrë nuk është takuar vetëm me mua. Gjithmonë ka qenë një anëtar i stafit tim i pranishëm në këto takime. Këto takime u zhvilluan në zyrën time. Dhe këto deklarata janë nënshkruar nga unë dhe nga ndihmësi im personal administrativ”, tha gjyqtari Florit.

Gjyqtari e pranon se personi me të cilin ishte takuar disa herë, ia kishte përmendur rastin gjyqësor të ish-Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe të Fatmir Limajt.

“Faktikisht, në takimin e parë, ai përmendi vetëm rastin e Fatmir Limajt, i cili ishte duke vazhduar në atë kohë. Ai fliste në mënyrë të përgjithshme. Unë refuzova të kisha të bëja me rastin. Nuk ishte një rast që më përkiste mua dhe, po të isha gjykatës, nuk do të kisha pasur të bëja me të.”, tha gjyqtari Florit.

“Ai faktikisht e ka përmendur rastin Tolaj. Përgjigja ime ishte: Nuk kam të bëj me atë rast. Edhe po të kisha, nuk mund të bëj asgjë në këtë mënyrë. Dhe pastaj thash, siç shkruhet edhe në këto dokumente: Ju lutem largohuni nga zyra ime dhe mos ejani më kurrë. Nuk dua t’ju shoh më këtu”, shtoi Florit.

Florit e arsyeton takimin e disahershëm me këtë person, duke thënë se “Politika në zyrën time ishte se çdokush që dëshironte të takohej me mua lejohej për ta bërë atë, por, kishte kushte.”

Prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, po ashtu pretendon se gjyqtari Françesko Florit nga po e njëjta organizatë evropiane për sundim të ligjit në Kosovë, ka marrë 300 mijë euro, si këmbim për ta liruar një palë të dënuar.

Gjyqtari këtë pretendim e quan ‘krejtësisht të rremë’.

“Kjo histori e 300,000 eurove është krejtësisht e rreme. Kurrë nuk kam pasur një shumë të tillë në llogarinë time bankare. Mund t’i kem 300 euro, por jo 300,000”, tha gjyqtari Florit.

Edhe pse, tashmë është pranuar edhe nga familjarët e të akuzuarve në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça”, se ata kanë mbledhur para në vlerë 300 mijë euro për t’ia dorëzuar gjyqtarit Francesko Florit, gjyqtari thotë se asnjëherë nuk ishte i regjistruar zyrtarisht se po bëhen hetime ndaj tij për diçka të tillë nga misioni EULEX ku ai punonte.

“Unë i kam pyetur ata nëse isha nën hetime dhe çdoherë ata më kanë thënë se ishte vetëm një hetim paraprak. Ju nuk jeni regjistruar zyrtarisht në libra. Kjo ndodhi në prill të këtij viti”, tha gjyqtari Florit.