Pjesa ku pritet të realizohet projekti Bulevardi i Gjelbër në Pejë - Foto: KALLXO.com

Fillojnë Punimet për Ndërtimin e Bulevardit të Gjelbër të Pejës

Komuna e Pejës sot ka filluar punimet në projektin e Bulevardit të Gjelbër, por vetëm në pjesën që i takojnë asaj.

Lajmin e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunë të Pejës.

Ai tha se punimet po bëhen vetëm në prona që i takojnë Komunës.

Sipas Abazajt, nga këto punime pritet të rregullohen vetëm rruga dhe trotuaret.

Ndërsa, kryeshefi i Hekurudhave të Kosovës, Agron Thaçi, i kontaktuar nga KALLXO.com tha se ende nuk kanë ndonjë marrëveshje rreth projektit të Bulevardit.

“Në lidhje me Bulevardin e Pejës, deri me tani nuk ka ndonjë marrëveshje. Kërkesa e Hekurudhës është të zbatohet ligji si dhe plani i Bulevardit të dakordohet edhe Hekurudhën”, tha Thaçi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Jeton Abazaj tregoi se janë në bisedime me Hekurudhat dhe se shpresojnë të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth projektit dhe që punimet të kryhen edhe në pjesën që u takon Hekurudhave.

KALLXO.com kishte shkruar në prill të këtij viti për mosmarrëveshjet mes Komunës së Pejës dhe Hekurudhave të Kosovës për projektin e Bulevardit të Gjelbër.

Bulevardi i Gjelbër Fut në Bela Komunën e Pejës me Hekurudhat

Mosmarrëveshjet kishin filluar kur Komuna e Pejës planifikonte ta realizonte këtë projekt në pronat e Hekurudhës së Kosovës.

Kryeshefi i Hekurudhave të Kosovës, Agron Thaçi, pati thënë për KALLXO.com se ky projekt kishte nisur nga Komuna e Pejës pa asnjë konsultim paraprak.

Faza e parë e këtij projekti të financuar nga Ministria e Infrastrukturës pritet të kapë koston e 1.2 milion euro, kurse vetëm për këtë vit drejtori i Financave i Komunës së Pejës tha se janë alokuar 300 mijë euro.