Ekipi mjekësor në Pallat të Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Familjarët e të Akuzuarit Përleshen me Policinë në Pallat të Drejtësisë

Rreth orës 9:00 të mëngjesit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Pallatit të Drejtësisë ka ndodhur një përleshje në mes familjarëve të një të akuzuari dhe Policisë së Kosovës.

Për shkak të vonesës, familjarëve nuk u është lejuar hyrja brenda në sallë, më ç’rast kanë tentuar të futen me forcë duke penguar personin zyrtar në kryerje të detyrës.

Ata kanë filluar të sulmojnë zyrtarët policorë, ndërsa kanë kërcënuar edhe një gjyqtar.

Zyrtarët policorë përdorën prej për t’i dhënë fund përleshjes me familjarët e të akuzuarit, ndërsa kjo e bëri të pamundur qëndrimin në korridor te pjesa e Departamentit të Krimeve të Rënda.

Pas përleshjes, në Pallat të Drejtësisë erdhën punonjësit shëndetësorë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente për t’u dhënë ndihmë të lënduarve.

Përleshjen në pallat e konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Konfirmojmë se sot në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka ndodhur një përleshje e familjarëve të një të akuzuari  ndaj Policisë së Kosovës . Familjarët e të akuzuarit kanë tentuar që të hynë me dhunë në sallën e gjykimit ku mbahej shpallja e aktgjykimit të cilët kishin arritur me vonesë në gjykatë duke kërcënuar gjyqtarin e çështjes po ashtu edhe stafin e policisë, me ç’rast policia ka dhënë urdhra verbale për t’u larguar masa nga salla, të cilët ishin mbi 15 persona”, tha Gashi.

Ndonëse policia është përpjekur të e qetësojë situatën, Gashi theksoi se policët janë sulmuar nga familjarët e të akuzuarit.

“Mirëpo pavarësisht përpjekjeve të policisë për të qetësuar masën, të njëjtit kanë filluar të sulmojnë policinë me qëllim të depërtimit të tyre në sallën ku bëhej shpallja e aktgjykimit. Policia e Kosovës ka marrë të gjitha veprimet duke bërë parandalimin e tyre, ku është detyruar të përdorë sprej me qëllim të shpërndarjes së tyre”, theksoi Gashi.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti-Haziraj, tha se janë arrestuar katër persona të dyshuar si pasojë e veprimeve të tyre.

“Sot rreth orës 10:00 nga njësitet policore të  stacionit Jugu në Prishtinë, janë arrestuar katër persona të  dyshuar për veprën kanosje dhe sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
 Rasti ka ndodhur në Hajvali, saktësisht në ndërtesën e Pallatit të Drejtësisë”, tha Ahmeti-Haziraj.

Edhe zëdhënësja Ahmeti-Haziraj tregoi për përleshjen.

“Personat e dyshuar kanë tentuar të pengojnë mbajtjen e një seance gjyqësore. Personat e dyshuar fillimisht janë përleshur me zyrtarët policorë, nuk u janë bindur urdhrave të policisë dhe më pas kanë kërcënuar edhe një gjyqtar. Për ta futur situatën nën kontroll zyrtarët policorë janë detyruar që gjatë arrestimit të përdorin forcën proporcionale”, tha Haziraj.

Më tutje, Haziraj tha se tre nga personat e dyshuar të përfshirë në përleshje janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa personi i katërt i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.

“Personat e dyshuar: A.G mashkull, 39 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, A. G. mashkull, 41 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, I. H. mashkull, 44 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me rekomandim të prokurorit të shtetit  janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që personi: A. G.  mashkull, 49 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është liruar në procedurë të rregullt”, shtoi Haziraj.

Edhe më 2 mars në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndodhi një përleshje mes tre personave.

http://kallxo.com/rrahje-ne-korridor-te-gjykates/