Rrena e Policisë për arrestimin e biznesmenit Driton Shuki

Policia e Kosovës mëngjesin e së enjtes ka publikuar një njoftim të rremë për arrestimin e një personi nën dyshimin që kishte blerë një pajisje që dyshohej se ishte e vjedhur.

Pas publikimit të komunikatës së Policisë, personi për të cilin është raportuar si i arrestuar ka raportuar në KALLXO.com se nuk është arrestuar.

Driton Shuki, pronari i kompanisë “Avicena”, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka qenë i arrestuar por është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Ka ardhur Policia, ne e kemi deklaru atë, e kanë konfiskuar. Ne kemi treguar prej kujt e kemi ble, në cilësinë e dëshmitarit. Por sot kur ka dalë teksti, e kanë qitë në cilësinë e të arrestuarit. Kjo më ka bo pak ‘prishje të imazhit’. Unë nuk jam arrestu” – ka thënë Driton Shuki.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Policia rreth pretendimeve të biznesmenit Shuki. Policia e Kosovës e ka pranuar se njoftimi për arrestim ka qenë “gabim teknik”.

Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com se personi në fjalë është intervistuar si person i dyshuar.

“Është intervistu në cilësinë e personit të dyshuar, është komunikata me përmirësim në ueb-faqe. Teknik ka qenë (gabimi), të gjitha kanë qenë të bazuara në raport, por veç fjala ‘arrestim’ është zëvendësu me ‘intervistim’. Të gjitha të tjerat janë të bazuara në raport, veç ai lëshim është bërë” – ka thënë Ahmeti.

Pas interesimit të KALLXO.com, Policia e Kosovës e ka përmirësuar komunikatën e publikuar në ueb-faqen e Policisë së Kosovës si dhe postimin e bërë në Facebook për të njëjtin rast.

Policia ka bërë të ditur se ndaj D.Sh. është iniciuar rast në koordinim me prokurorin e shtetit.

Policia po heton vjedhjen e një aparature mjekësore