Foto: Facebook

Edhe një Deputete Lë Strukturat e VV-së

Deputetja e Vetëvendosjes, Besa Baftiu, e cila vjen nga Gjilani ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së Qendrës së VV në këtë qytet dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes.

Ajo si arsye të dorëheqjes përmendi atë që e quajti fushatë linçuese.

“…Kësisoj, gjatë kësaj kohe kemi parë fushatë të egër linçuese ndaj gjithë atyre që shprehnin pakënaqësi me gjendjen e krijuar, duke dëshmuar se brenda organizatës po i hapej rrugë një mendësie të rrezikshme totalitare, e cila nuk duron kritikën dhe mendimin ndryshe”, ka shkruar ajo në facebook.

Baftiu shkroi se nuk ka parë vullnet as te Albin Kurti për ta tejkaluar këtë gjendje.

“Sidomos pasi që përgjatë kësaj kohe, nuk kam parë vullnet as te Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, që ta parandalojë këtë lloj mendësie që i kanosej organizatës dhe e cila duket se po zë vend brenda saj”, ka shkruar ajo.

Baftiu ka thënë se ka dashur të japë dorëheqje nga pozita e kryetares së Qendrës qysh pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, për shkak të rezultatit aspak të kënaqshëm në Gjilan, por siç shprehet “heshta për shkak dolën në publik mosmarrëveshjet e fundit në nivelin qendror”.

Ajo në Facebook ka shkruar se në 2016-ën pasi është zgjedhur kryetare e Qendrës në qytetin e saj ka kuptuar më mirë situatën brenda.

“Gjatë angazhimit tim kam kuptuar se edhe brenda organizatës sonë ishin afruar individë me një mendësi që promovon të kundërtën e asaj që promovon publikisht Vetëvendosje!. Një gjë e tillë, në raste të ndryshme është bërë pengesë e diskutimeve të sinqerta e parimore dhe për më keq ka ndikuar negativisht në vendimmarrjen dhe demokracinë e brendshme”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shtuar se shfaqja e problemit në nivel qendror ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në Qendrën e Gjilanit, duke shkaktuar zhgënjim të madh dhe duke dëmtuar tepër shumë besimin e aktivistëve.

“Gjatë kësaj periudhe, në vend që të kontribuohej për zgjidhjen e problemit dhe për unifikim, individët e njëjtë me mendësi përçarëse kontribuan për të kundërtën”.Për këtë arsye, duke iu falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, nga sot jap dorëheqjen time nga gjitha funksionet në organizatë”, ka përfunduar ajo.

Para tri ditësh dorëheqje nga Vetëvendosja dha edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-dorehiqet-nga-vetevendosja/

Kësaj partie kohëve të fundit i janë larguar edhe zyrtarë tjerë të lartë.