Ministrja Haxhiu dhe të tjerët përsëri në gjykim për gazin lotsjellës

Ministrja e tanishme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me Pal Lekajn, Donika Kada-  Bujupin e Besa Baftiun, sot pritet të ulen në bankën e të akuzuarve për herën e dytë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.

Me këtë veprim deputetët e asaj kohe që ishin ne opozitë kundërshtonin marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të zi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me tre ish-deputetë ishin liruar nga akuza në lidhje me mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës.

“Në emër të popullit mori vendim  se të pandehurit, konform ligjit lirohen nga akauzat”- kishte thënë gjyqtarja Fatime Dërmaku.

Arsyetimi i gjykatës për vendosjen ndaj këtij rasti ishte se provat  e paraqitura nga Prokuroria nuk provojnë kryerjen e veprës penale.

Pas këtij vendimi nga Gjykata Themelore, Prokuroria kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin se në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.