Ministrja Haxhiu jep fjalën e fundit në gjykatë para vendimit për akuzën ndaj saj

Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë  u paraqit sot në gjykatë bashkë me disa ish-deputetë, që po akuzohen lidhur me mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës.

Në këtë gjykim të akuzuarit kundërshtuan provat duke i quajtur ato si irrelevante dhe se nuk provojnë asgjë.

Të akuzuarit, ishin pro përfundimit të të gjithë procesit gjyqësor, kështu këtij gjykimi i erdhi fundi dhe gjykata njoftoi se sot do të bëhet edhe shpallja e vendimit.

Në seancë pati debate të shumta mes prokurorit Ilaz Beqiri dhe të akuzuarve duke filluar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetja Donika Kadaj Bujupi, të cilat iu kundërvunë prokurorit për krahasimin e tij në lidhje me gazin lotsjellës me gazin e hedhur në kohën e regjimit të Millosheviqit.

Të akuzuarit në fjalën e tyre përfundimtare, kundërshtuan cilësimin e veprës duke pretenduar se gazi lotsjellës sipas Gjykatës së Strasburgut as nuk konsiderohet armë.

Ndërkaq prokurori mori shembull duke filluar nga vetja se pasojat e gazit lotsjellës i kishte provuar qysh në vitin 1981.

Për këtë deklaratë të gjithë të akuzuarit u revoltuan, duke nisur nga Albulena Haxhiu e cila tha se është i pakuptimtë një krahasim i tillë.

“Unë nuk kam si mos të shpreh shqetësimin tim me fjalën e prokurorit madje as nuk prita që nga një prokuror të bëhen krahasime të tilla ndaj ish- deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke marrë parasysh qëllimin që ka pasur opozita në atë kohë për ta shpëtuar vendin nga dy projekte të rrezikshme”, tha Albulena Haxhiu.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzohen se në shkurt të 2016-tës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ish deputetët deklarohen të pafajshëm dhe kërkojnë nga gjykata marrje të shpejtë të një vendimi