Thorsten Frei, deputet gjerman

Deputeti Gjerman: Shqipëria t’i Arrestojë ‘Peshqit e Mëdhenj’

Pas Shteteve te Bashkuara të Amerikës, edhe Gjermania kërkon arrestimin e ‘peshqve te mëdhenj’.

Deputeti i partisë se Angela Merkel, Thorsten Frei, i cili është raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme në Bundestag, pas një vizite dy ditore në Tiranë ka vlerësuar progresin që Shqipëria ka bërë në rrugën drejt integrimit.

Por sipas ligjvënësit gjerman Frei, për hapjen e negociatave duhen ende prova te besueshme.

“Kam konstatuar disa qasje pozitive, përsa i përket shtrirjes se vetingut ne strukturat e policisë, por edhe përsa i përket fushës se krimit te organizuar dhe drogës. Por mendoj se për të krijuar besueshmëri të vërtetë në këtë proces mungojnë proceset ndaj peshqve te mëdhenj.”

Sipas deputetit Frei çështja me e rëndësishme është zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu.

Pas takimeve qe ka zhvilluar me komisionerët e vetingut, Frei thekson se marsi do të jetë vendimtar për të kuptuar progresin e bërë.

“Na është raportuar se janë ndërmarrë disa akte te rëndësishme, janë hartuar dosje te rëndësishme seancat dëgjimore qe do te shërbejnë për të marrë vendimet për vetingun do të jenë në mars. Ndaj është vërtetë vendimtare për të kuptuar se cili është progresi konkret.”

Deputeti Frei ka shprehur edhe opinionin e tij kundër vendimit te maxhorancës për të mos i dhënë leje prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit te brendshëm Tahiri.

“Në pikëpamjen time besoj që në parlament duhet të ishte hequr imuniteti pa diskutime të mëdha. Nuk ka arsye pse duhet te mbrohen persona të caktuar nga pikëpamja politike, përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe çështja e përgjegjësisë nuk mund të marrë përgjigje nga politika, ky është një vendim i organeve gjyqësore.”

Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme në Bundestag ka theksuar se javët në vazhdim do të jenë vendimtare për votën e Gjermanisë për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit, transmeton Vizionplus.

“Ne do të donim që të fillonin bisedimet por deri atëherë vërtetë që duhen përmbushur prioritetet kyçe.”

Kur flitet për prioritete kyçe, Frei thekson se përveç 5 atyre te vendosura nga Komisioni Europian, Gjermania ka edhe dy kushte që kanë të bëjnë me zbatimin e dekriminalizimit e reformën zgjedhore.